E hënë, 13 Janar 2014
Shkup, 13 janar- Takimi ndërmjet anëtarëve të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës në Prizren duket se i ka zhgënjyer shqiptarët e Maqedonisë? Ata e kanë parë fotografinë e bukur të dy kabineteve shqiptare, por nuk kanë dëgjuar asnjë fjalë për çështjet që i shqetësojnë shqiptarët këtu.
Analistët këtë situatë e shpjegojnë si mesazh se politikanët shqiptarë duhet që të ndërtojnë kapital politik pozitiv, që ta kenë si bagazh në takime të tilla ndërshqiptare. Analisti politik Mersel Bilalli ka thënë se ka vërejtje serioze në mënyrën se si bëhet politika në këtë pjesë. “Gabimi është me siguri në të dy anët.
Dy qeveritë kanë çuar mesazhin se për së tepërmi e durojnë Gruevskin. Por, edhe nga ana a partive shqiptare nuk ka pasur ndonjë aktivitet të veçantë. Duhet krijuar situata kur në mënyrë relaksuese dhe ne baza parimore të ketë përfshirje në aktivitete të tilla. Duhet të ndryshojmë përbrenda e pastaj të ndryshojmë elemente të rëndësishme. Mandej të imponohemi me atë bagazh që bëjmë. Në qoftë se ne nuk kemi bagazh të brendshëm ata thjeshtë na injorojnë”, ka thënë Bilalli, për “Zhurnal plus”.
Edhe analisti tjetër, Arsim Sinani ka thënë se ka qenë e dukshme që çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë qenë në agjendën e takimit të Prizrenit. “Por, duhet pasur të qartë se edhe gjatë krijimit të shteti shqiptar, shqiptarët e Maqedonisë kanë dhënë Qeverisë së Ismail Qemajlit, ministrin e parë të mbrojtjes, Mehmet Pashë Derallën.
Gjithashtu kanë qenë logjistikë për krijimin e shtetit të Kosovës. Nëse shihet nga ky aspekt, shqiptarët e Maqedonisë do të duhej të bëheshin nervozë”, ka thënë Sinani.
Por, në anën tjetër, sipas Sinanit, dy qeveritë i dërguan një mesazh lidershipit shqiptar të përçarë në Maqedoni se duhet të jenë më seriozë, sepse nuk janë në pozicionet e shqiptarëve të Preshevës dhe të Malit të Zi. Shqiptarët këtu shqiptarët janë afër 1 milion dhe janë të organizuar politikisht.
“Dy liderët, në atë fotografi të bukur të Prizrenit i lëvizën eshtrat e të vdekurve të pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit. Injorimet që ia bëjnë shqiptarëve të Maqedonisë, janë injorime që i bëjnë vetvetes së tyre. Kështu po dëmtohet politika gjeostrategjike e shqiptarëve. Nëse dy kryeministrat sillen si sulltanë, jua rikujtoj se periudha e qeverisjes otomane në Ballkan ka përfunduar, tash duhen projekte konkrete që e zhvillojnë kombin shqiptar.
Nëse arsimi, shëndetësia, turizmi, janë procese ku do të duhej të përfshiheshin edhe shqiptarët e Maqedonisë”, ka theksuar Sinani, për “Zhurnal plus”. Gabimi i parë u bë kur në Prizren u promovua abetarja gjithëkombëtare pa qenë të pranishëm shqiptarët e Maqedonisë, thekson Sinani. “Stacioni i parë në Prizren u nis me rrebesh, në stacionin e dytë në Vlorë do të duhej që mos t’i përsërisin këto gabime”./zhurnal/
Etiketa: Kosova, Maqedonia, Rama, Shqipëria, Thaçi