0°C
Prizren

Të akuzuarit për dhunë në familje e pranojnë fajësinë

Prizren Post | 20:59 - 16.10.2018

Prishtinë – Në gjykimin për fillimin e të cilit Gjykatës së Prishtinës iu deshën dy vjet kohë, dy të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë në akuzën për dhunë në familje.

Edhe pse Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë në gushtin e vitit 2016, Gjykatës së Prishtinës iu deshën dy vjet kohë për të mbajtur seancat e para.

Dy të akuzuarit, N.R. dhe B.R., e pranuan fajësinë në shqyrtimin e dytë, pasi që dëgjuan aktakuzën nga prokurori Rrahim Podvorica.

Mbrojtësja e të akuzuarit N.R. kërkoi nga Gjykata të shqiptojë dënim me gjobë, duke pasur parasysh pranimin vullnetar të fajësisë dhe kohën e kaluar në paraburgim.

Në anën tjetër, edhe prokurori i rastit, Rrahim Podvorica u pajtua që pranimi i fajësisë nga dy të akuzuarit të vlerësohet si rrethanë lehtësuese nga gjykata në caktimin e dënimit.

“Nëse më lejohet i kisha propozuar Gjykatës që me rastin e vendosjes që ta ketë si rrethanë lehtësuese (pranimin e fajësisë) nga ana e të pandehurve ashtu siç parasheh ligji”, deklaroi prokurori Podvorica.

Gjykata vendosi që shpallja e aktgjykimit të bëhet më 17 tetor.

Sipas aktakuzës, në gusht të vitit 2014 rreth mesnatës në lokalet e QKUK-së në Prishtinë, të pandehurit B.R. dhe N.R. me qëllim që t’i shkaktojnë lëndime trupore me dashje i kishin sulmuar fizikisht viktimat, tani të dëmtuarat A.D. dhe I.R., duke i goditur me bërryl, grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit ku të njëjtave u kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Nën pretendimin se të pandehurit i kanë kryer këto veprime ndaj të dëmtuarave, Prokuroria i akuzon B.R. dhe N.R. se në bashkëkryerje janë kryes të veprës penale lëndim i lehtë trupor.

Aktakuza ishte ngritur me datë 5 gusht të vitit 2016, ndërsa seanca e parë është mbajtur muajin e kaluar.

KALLXO ka raportuar muajin e kaluar se si gjyqtarja e këtij rasti, Lindita Jakupi kishte përjashtuar nga seanca të dëmtuarën A.D. dhe monitoruesen e KALLXO.com, me arsyetimin se “hapësira ka qenë e vogël në zyrë”.


Etiketa:
Arivisti Company