Të dyshuarit e rastit ‘Stenta’ udhëheqin klinika e spitale


E martë, 2 Shkurt 2016

Kardiologjia

Prishtinë – Klinika e Kardiologjisë vazhdon të udhëhiqet nga Gani Bajraktari, tashmë i dyshuar në rastin “Stenta”, derisa i dyshuari tjetër, Besim Guda, është u.d. drejtor i SR të Gjilanit.
Shoqata për Mbrojtjen e Pacientëve, ndërkaq ka kërkuar që së paku udhëheqësve të lartë shëndetësorë t’iu pezullohet posti.


Gani Bajraktari vazhdon të jetë drejtor i Klinikës së Kardiologjisë edhe pse emri i tij u lakua në skandalin “Stentat”.

Ai është një nga mbi 100 të dyshuarit për marrje të mitos në këtë rast, madje të një shume prej 21 985 euro, për të cilat Prokuroria beson se ai ka referuar pacientëve në spitalin “International Medicine Hospital”.
Të dhënat gazeta “Zëri” i konfirmoi në aktvendimin e Prokurorisë ku janë emrat e mbi 100 doktorëve të dyshuar në rastin “Stentat”.

Në Gjilan vazhdon të udhëheqë spitalin u.d. drejtori Besim Guda. Edhe ai është në listën e të dyshuarve të Prokurorisë në rastin “Stentat”.
Guda sipas të dhënave të gjetura nga policia në kompjuterët e IMH-së, në këmbim të referimit të pacientëve në këtë spital ka marrë 300 euro.

Dy paraardhësit e Gudës, ishin arrestuar për korrupsion. Njëri para disa vitesh, derisa ky i dyti u arrestua nga Policia muaj më parë për dyshime të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, duke u shkarkuar me automatizëm./Zëri/