Të enjten takimi i shtatë Shqipëri-BE


E mërkurë, 12 Mars 2014

Ditën e enjte do të mbahet takimi i shtatë ndërparlamentar ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Në këtë takim, i cili do të mbahet në Bruksel, do të marrin pjesë deputetë shqiptarë dhe evropiane, dhe pikat kyçe të diskutimit pritet të jenë reformat e integrimit të vendit.

Në takim, i cili do të zhvillohet përgjatë dy ditëve, 13 dhe 14 mars, do të analizohen nëse janë zbatuar rekomandimet e takimit të gjashtë. Më pas do të vihet theksi tek çështjet e veçanta, si ajo e reformës territoriale, zbatimi i ligjit të ri për shërbimin civil, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të qenieve njerëzore, si dhe lufta kundër korrupsionit. Palët pritet të fokusohen edhe në çështjen e pavarësisë së institucioneve më të rëndësishme në vend si dhe në pavarësinë e medias.

“Ne përpiqemi që të inkurajojmë kolegët tanë, që të mos bëjnë hapa të cilët dëmtojnë vendin për integrimin drejt BE-së. Institucionet duhet të veprojnë në atë mënyrë që të ruajnë pavarësinë e medias. Ne e dimë që ka çështje të tjera, ku nuk ka konsensus midis palëve, siç është reforma administrative apo çështje të tjera, të cilat do t’i vlerësojmë në mënyrë objektive”, -shprehet eurodeputeti Eduard Kukan, në një intervistë për një media në vend. Ndërsa kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bën me dije se në këtë takim do të flitet edhe për çështjen e pronave. Përveç europarlamentarëve dhe deputetëve shqiptarë në takim do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, si dhe shefja e diplomacisë evropiane për politikën e jashtme, Catherine Ashton./shekulli/

Etiketa: ,
Të fundit