E hënë, 25 Prill 2016
Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh opozitar, sot mori një goditje të rëndë me largimin e deputetit Ilir Deda. Mirëpo, paraprakisht nga Vetëvendosje ishin larguar edhe personalitete tjera.
Veprimet dhe vendimet e kësaj parti nuk i kanë pëlqyer disa deputetëve të saj, asamblistëve e as aktivistëve, të cilët në shenjë pakënaqësie dhe mospajtimi janë larguar ose përjashtuar.
Ishte deputetja Alma Lama, e cila në korrik të vitit 2013 dha dorëheqje nga Vetëvendosje, me arsyetimin se ka pasur disa mospajtime rreth koncepteve të kësaj partie, duke e kritikuar atë se ka devijuar rrugën dhe programin e saj, sidomos me daljen haptazi pro shamive dhe mësimit mbi fe nëpër shkolla.
“Kurti, i cili promovon idenë e bashkimit kombëtar hezitoi të thoshte një fjalë të vetme kundër atyre që përmes meje, si një shqiptare e lindur në Krujë, atakuan një pjesë të kombit tonë, e që është ajo që jeton në Shqipëri. Në Kosovë u përçmua edhe figura e Skënderbeut; pak kohë më parë është fyer edhe humanistja e botës, Nënë Tereza, nesër kushedi kush do të atakohet, sepse qëllimi është të na rrënohet identiteti kombëtar”, kishte thënë Lama pas largimit nga VV-ja, raporton Indeksonline.
Pas saj, dorëheqje dha kolegu i saj Afrim Kasolli, i cili e arsyetoi dorëheqjen me “drejtimin absolutist antidemokratik të kësaj lëvizje”. Ai kishte thënë se Vetëvendosja u bë pjesë e garës zgjedhore në vend duke dhënë shpresë për një Kosovë të mirëfilltë politike, mirëpo siç ka thënë ai, përveç që nuk e vetdemokratizoi vendin, madje as nuk prodhoi demokraci për shoqërinë.
Në prill të vitit të kaluar, Vetëvendosje përjashtoi nga partia tre anëtarët e saj, Ajnishahe Halimin, Arben Gecajn dhe Fatos Aliu (vëllai i Liburn Aliut) duke i akuzuar se kanë abuzuar me detyrat e besuara dhe duke i kryer ato nën rrethanat e konfliktit të interesit.
Mirëpo, Halimi, Gecaj dhe Aliu u bënë bashkë duke themeluar Fraksion+, për të zbuluar shumë të pathëna për Lëvizjen Vetëvendosje deri atëherë.
Pas më pak se dy javësh nuk vonoi dorëheqja e radhës. Ishte Fatos Aliu, vëllai i drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliut, i cili u largua nga Vetëvendosja, me arsyetimin se kjo parti nuk mund të jetë përfaqësuese e denjë e afirmimit të demokracisë dhe zbatimit të vetëvendosjes në Kosovë.
Besjana Rexhepi, asambliste e VV-së në Komunën e Vitisë, në maj të vitit të kaluar njoftoi për dorëheqjen e saj nga çdo aktivitet, duke thënë se në këtë parti ka mungesë të demokracisë dhe cenzurë. Sipas saj, në Vetëvendosje kishte favorizim klanesh të cilat ishte munduar t’i luftonte gjithmonë po që nuk ia kishte arritur.
Në nëntor të 2015-tës, ish-avokati i Popullit, Sami Kurteshi aderoi në Vetëvendosje për të vazhduar edhe sot veprimtarinë e tij në këtë subjekt politik. Vlen të përmendet se Kurteshi është vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi.
Pas anulimit të protestës së 26 marsit nga tri partitë opozitare, aktivisti më i zëshëm i Vetëvendosjes në diasporë, Gëzim Mekuli njoftoi se nuk i përket më kësaj partie. Ai akuzoi opozitën se me anulimin e protestës ka bërë tallje politike me popullin, duke e quajtur sjellje shqetësuese dhe poshtëruese për qytetarët.
Vetëvendosjes ndonëse iu larguan deputetë, ajo megjithatë mori vetëm një dhe atë nga partia tjetër opozitare me të cilën deri para pak kohësh vepronin bashkë. Në VV aderoi deputetja e zëshme e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila tha se këtë e ka bërë për hir të parimeve të saj.
Largimi i fundit nga Vetëvendosja dhe ndoshta më i paprituri ishte ai i Ilir Dedës, i cili qëndroi në këtë parti vetëm dy vjet.
Deda i cili nga shoqëria civile u bë pjesë e politikës, sot njoftoi se pas disa mospajtimesh me Vetëvendosjen po detyrohet që të largohet nga ajo, për të themeluar një subjekt të ri politik shumë shpejt, duke e forcuar boshtin opozitar. /Indeksonline/
Etiketa: Ilir Deda, Kosovë, Vetëvendosje