E shtunë, 20 Korrik 2019
PRISHTINË – Spektri politik në Kosovë është në pritje të vendimit që mund të marrë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit. Vetë Haradinaj ka paralajmëruar se nga fillimi i javës do t’i informojë edhe zyrtarisht krerët e institucioneve për vendimin e tij për dorëheqje.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili është autoriteti kompetent që të ndërmarrë veprimin e parë nuk ka dhënë ndonjë njoftim të ri, përveç një reagimi që e kishte të premten në rrjetin social Facebook.
Thaçi kishte shkruar aty se si President i Republikës së Kosovës do të veprojë bazuar në kompetencat e tij dhe Kushtetutës për situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në orët e pasdites së të shtunës, thirri një konferencë për media, ku tha se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, pas dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit.
“Vendimi i ish-kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar, pavarësisht se për këtë nuk pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake. Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK është e gatshme për zgjedhje kurdo që të caktohen ato”, tha Veseli, duke shtuar se për caktimin e datës së zgjedhjeve, duhet të ketë konsultime ndërmjet partive politike.
“Për këtë besoj se do të kemi konsulta dhe me partnerët e tjerë të koalicionit të deritanishëm dhe partitë e tjera politike, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet që kemi në fuqi”, tha lideri i PDK-së, Kadri Veseli, njofton Telegrafi.
Etiketa: Hashim Thaçi, Kosovë, Presidenti, Zgjedhjet