Të mos përsëritet bllokada Kosovë-Maqedoni


E hënë, 18 Nëntor 2013

Shkup, 18 nëntor – Maqedonia dhe Kosova do të angazhohen që të mos përsëritet situata e para dy muajve e bllokimit të kufirit mes dy vendeve.

Kështu deklaruar në Shkup, ministrat e ekonomisë të dy shteteve, Fadil Ismaili, i Kosovës dhe Valon Saraçini i Maqedonisë

“Kemi konstatuar se kemi çështje të hapura, por ato janë të karakterit minimal. Unë shpresoj se të njëjtat do të eliminohen. Mos të keqkuptohemi, janë çështje tejet të vogla që nuk cenojnë apo rrezikojnë bashkëpunimin e ndërsjellë mes dy vendeve”, ka deklaruar Saraçini, duke folur për bllokadat e para dy muajve, që vendosën dy vendet e që kishin për bazë vendimin e e autoriteteve të Maqedonisë për ndalimin e importit të miellit nga Kosova në Maqedoni, transmeton REL.

Ministri i zhvillimit ekonomik të Kosovës, Fadil Ismaili, tha se ky rast duhet të shërbej si shembull që gjëra të tilla të mos ndodhin.

“Është diçka që është tejkaluar. Është diçka që do të shfrytëzohet në të ardhmen që mos të na përsëritet dhe masa të tilla të mos e pengojnë zhvillimin e ndërmarrjeve, përkundrazi, të krijojnë një ambient edhe më të volitshëm për punë dhe aktivitete ekonomike”, ka deklaruar Ismaili.

Në takimin e sotëm, dy delegacionet kanë biseduar për realizimin e projekteve të ndryshme në infrastrukturë, energjetikë dhe sfera të tjera të interesit.

Gjatë nëntë muajve të këtij viti dy vendet kanë realizuar një shkëmbim tregtar në vlerë prej 208 milionë dollarë.

Pas Gjermanisë, Kosova është partneri i dytë tregtar për Maqedoninë.

Të fundit