E mërkurë, 3 Qershor 2026

Të paktën 21 persona kanë humbur jetën në një zjarr që shpërtheu në një hotel në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, njoftuan sot autoritetet, transmeton Anadolu.
Ngjarja ka ndodhur në zonën Malviya Nagar në orët e mëngjesit, ndërsa zjarri ka shpërthyer rreth orës 08:50 sipas kohës lokale. Në një deklaratë të Policisë së Delhit u konfirmua numri i viktimave, duke shtuar se mbi 40 persona u shpëtuan dhe u dërguan në spitale të afërta për trajtim mjekësor.
Autoritetet thanë gjithashtu se ndërtesa ishte shumëkatëshe dhe zjarri është vënë nën kontroll.
Kryeministrja e Delhit, Rekha Gupta tha përmes rrjetit social amerikan X se “u mobilizuan agjencitë e reagimit emergjent”, ndërsa janë duke u zhvilluar operacionet e shpëtimit dhe ndihmës.
Ajo shtoi se qeveria po e ndjek nga afër situatën.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi e cilësoi ngjarjen si “tragjike”, duke shtuar: “Ngushëllimet e mia për ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Uroj shërim të shpejtë për të lënduarit. Autoritetet po ofrojnë gjithë ndihmën e mundshme për të prekurit”.
Shkaku i zjarrit ende nuk është i njohur, raportoi “Press Trust of India”.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
