E hënë, 27 Prill 2026

Të shtëna me armë janë raportuar mbrëmjen e së dielës në fshatin Bajnicë të Kaçanikut.
Sipas informacioneve nga policia, njësitet reaguese dhe hetimore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku dyshohej se persona të panjohur, duke përdorur një veturë të tipit xhip me ngjyrë të zezë dhe targa vendore, ishin futur në një zonë malore dhe kishin shtënë me armë automatike në ajër.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit kanë gjetur gjithsej 49 gëzhoja, që dyshohet se janë shkrepur nga një pushkë automatike e tipit AK-47, në sasi që përkon me rreth dy karikatorë, transmeton Klankosova.tv.
Pas veprimeve hetimore, policia ka arritur të lokalizojë edhe veturën e dyshuar, e cila është gjetur e parkuar në një autoservis. Më tej është identifikuar një person i dyshuar me inicialet E.S., 26 vjeç, tek i cili është sekuestruar një armë automatike AK-47 dhe 35 fishekë.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar në prani të organeve kompetente.
Me vendim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Burimi: klankosova
