Të vetmet punë të Shpend Ahmetit janë postimet në rrjetet sociale


E martë, 18 Dhjetor 2018

PRISHTINË – “Komuna e Prishtinës: Premtimet e pambajtura gjatë vitit 2018”, ishte tema e tryezës të mbajtur sot nga Arben Vitia kryetar i Qendrës së Prishtinës në Lëvizjen Vetëvendosje, i cili ka numëruar një varg dështimesh në shumë fusha nga kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti.

Vitia ka thënë se mandati i parë i Ahmetit ka qenë i fokusuar në zhbërjen e krimit, krijimin e mirëqenies dhe barazi për qytetarët e Prishtinës, ndërsa pas kësaj faze në mandatin e dytë, veçanërisht në vitin e dytë ka ndodhur e kundërta, siç tha ai, pa asnjë rezultat në të gjithë sektorët.

Sipas tij, investimet në komunën e Prishtinës tash janë inekzistente, sepse sipas Vitisë përveç që nuk ka investime, janë ndalur edhe projektet e nisura. “Plani i mobilitetit, parqet, spitali i qytetit, infrastruktura dhe shumë projekte të tjera kanë dështuar tash me qeverisjen e kryetarit Ahmeti”, tha Vitia.

Vërejtje pati edhe për angazhimin e kryetarit Ahmeti në politikat nacionale, që sipas tij, ka harruar qytetarët e Prishtinës. Edhe aspektin ambiental Vitia e ka quajtur vitin 2018 të dështuar.

Nora Kelmendi Ish-drejtoreshë e Kadastrit në Komunën e Prishtinës tha se posthuajse asnjë premtim i kryetarit aktual nuk është mbajtur, derisa ka thënë se i vetmi angazhim i Ahmetit është përkushtimi i tij ndaj rrjeteve sociale.

“Punët e vetme të cilat i ka kryer Shpend Ahmeti për këtë vit, janë postimet e tij në rrjetet sociale”, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa, Liburn Aliu, deputet nga LVV ka thënë se kur është larguar Nora Kelmendi nga komuna e Prishtinës, është bërë “dasmë” në komunë, sepse siç tha ai, Kelmendi ka qenë pengesë e krimit në Komunën e Prishtinës.

Të pranishmit e tjerë në këtë tryezë, që ishin prezent edhe shumë qytetarë të Prishtinës pohuan se dallimet nga mandati i parë më mandatin e dytë janë të mëdha. Ata u ankuan edhe për infrastrukturën rrugore dhe mirëmbajtjen e tyre, njofton KosovaPress.

Etiketa: , , ,
Të fundit