E hënë, 29 Shkurt 2016
Shkup – Refugjatët të pakënaqur, kryesisht nga Iraku dhe Siria, duke hedhur gurë dhe objekte të ndryshme ndaj policisë maqedonase kërkonin hapjen e kufirit, pas së cilës policia maqedonase u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës.
Mëngjesin e sotëm rreth 5 mijë refugjatë të cilët nga ana greke me forcë u përpoqën të kalojnë në territorin e Maqedonisë, me gaz lotsjellës u penguan nga policia maqedonase, ku si pasojë u kthyen prapa në anën greke, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo për AA u konfirmua edhe nga Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku shtuan se një polic ka mbetur i lënduar në kohën kur refugjatët me forcë u përpoqën të kalojnë në territorin e Maqedonisë.
Refugjatët të pakënaqur, kryesisht nga Iraku dhe Siria, duke hedhur gurë dhe objekte të ndryshme ndaj policisë maqedonase kërkonin hapjen e kufirit, pas së cilës policia maqedonase u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës.
Numri i refugjatëve të “bllokuar” në vendkalimin kufitar Greqi-Maqedoni, në Idomeni ka arritur 6.500, pasi që disa vende të të ashtuquajturës “rrugë ballkanike” kanë limituar pranimin e refugjatëve. Policia greke njoftoi se 500 prej tyre u dërguan në kampin e sapo ndërtuar, i cili ndodhet rreth 20 kilometra nga kufiri.
Që nga koha kur Austria njoftoi se në ditë do të pranojë 3.200 refugjatë, Kroacia dhe Sllovenia deklaruan se do të pranojnë vetëm 500 refugjatë në ditë, ndërsa Maqedonia vetëm 300 refugjatë në ditë. E gjithë kjo rezultoi në një rritje të numrit të refugjatëve në Greqi, ku aktualisht ndodhen mbi 22 mijë refugjatë.
Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoni janë lëshuar gjithsej 92 vërtetime ndaj shtetasve të huaj, prej të cilëve 30 meshkuj, 22 femra dhe 40 fëmijë të shoqëruar nga mbajtësit e vërtetimeve. Ndërsa sipas shtetësisë janë lëshuar 79 vërtetime shtetasve sirian dhe 13 shtetasve irakian.
Etiketa: Maqedoni, Refugjatët