Tentohet të funksionalizohet Kisha serbe në oborrin e UP-së


E enjte, 15 Shtator 2016

kisha-up

Prishtinë – Gjatë ditës së sotme në objektin e Kishës e cila ndodhet në oborrin e Universitetit të Prishtinës, janë parë disa persona duke kryer punime në këtë objekt.

Më të marrë lajmin se brenda Kishës janë disa persona, në vendin e ngjarjes ka dalë Policia e Kosovës së bashku më Inspekcionin e Komunës së Prishtinës, me ç’rast këto punime janë ndaluar.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili në llogarinë e tij në Facebook ka sqaruar se Drejtoria e Inspekcionit e kësaj komune, ka ndërprerë punën e disa personave që kanë qenë duke e bërë ne objektin e Kishës e cila ndodhet në oborin e Universitetit të Prishtinës (UP).

Ai ka thënë se Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës sot ka dal në vendin e ngjarjes te Kisha Ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës, pas shumë raportimeve se atje po punohet.

Ahmeti ka theksuar se Drejtoria e Inspekcionit ka vërejtur disa persona duke punuar në pastrimin e objektit e të cilët sipas tij, kanë refuzuar të legjitimohen.

“Është vërejtur se në emër të pastrimit është bërë gëlqerosje e disa mureve ku kanë qenë të shkruara parulla të ndryshme. Komuna e Prishtinës ka ndërprerë këtë aktivitet dhe ka kërkuar nga personat e përfshirë që të sjellin gjithë dokumentacionin zyrtar rreth këtyre punëve në drejtorinë e inspekcionit sot. Po ashtu kemi kërkuar në qoftë se ka ndonjë letër apo leje pune nga qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës nuk posedon asnjë dokumentacion rreth kësaj ndërtese, duke shtuar se “qe më shumë se një vit kemi bërë thirrje tek të gjitha palët të sjellin dokumentacionin relevant, por kemi hasur në mospërfillje”.

“Ne do ta zbatojmë ligjin sa i përket kompetencave të komunës dhe i ftojmë të gjitha palët dhe të gjitha institucionet që të funksionojnë në përputhje me Ligjin për Ndërtimin”, ka shkruar Ahmeti. /Telegrafi/

Të fundit