Teoritë rreth formimit të Shqipërisë së Madhe


E shtunë, 16 Maj 2015

Pas dhunës në Kumanovë, media serbe, politikanët dhe ekspertët kanë nxituar të paralajmërojnë rreziqet e një “Shqipërie të Madhe” – një fushatë që disa thonë se i përshtatet interesave qeveritare serbe.

autokton-droni-shqiperia-e-madhe-serbi-ndeshje

Autor: Gordana Andric

Zyrtarët maqedonas duhet të ofrojnë ende informacion të plotë për atë që ndodhi në qytetin verior të Kumanovës dhe se çfarë gjendet pas përplasjeve mes policisë dhe një grupi të armatosur më të panjohur.

Megjithatë, zyrtarët serbë të sigurisë, ekspertët dhe media kanë dhënë disa skenarë të mundshëm. Shumica i qëndrojnë idesë se përplasjet shënuan fillimin e një lufte të udhëhequr nga shqiptarët e Kosovës për një Shqipëri të Madhe, ndërsa disa pretendojnë se Amerika fshihej pas ngjarjeve në Kumanovë.

Analistët i kanë thënë BIRN se pas interpretimeve të tilla të ngjarjeve maqedonase fshihen përpjekjet e qeverisë serbe për të mbështetur qeverinë partnere në Maqedoni – tani nën sulm nga protestat dhe kërkesat për dorëheqje.

Për më tepër, disa akuzojnë zyrtarë serbë se kanë keqpërdorur emocionet dhe paragjykimet serbe në përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës për të promovuar axhendën e tyre dhe për të marrë mbështetje nga votuesit nacionalistë, në një kohë kur ata rrezikojnë të humbin popullaritetin mbi çështjen e dialogut me Kosovën të drejtuar nga BE.

Përleshjet me armë mes policisë dhe grupit më herët të panjohur në Kumanovë më 9 dhe 10 maj, lanë tetë policë të vdekur dhe rreth 37 të plagosur. Sipas policisë 14, persona të armatosur u vranë.

Këshilli Maqedonas i Sigurisë tha se grupi i disa dhjetëra personave, udhëhequr kryesisht nga shqiptarët e Kosovës, kishte planifikuar sulme terroriste nëpër vend, me synim destabilizimin.

Megjithatë, zyrtarët maqedonas kanë ofruar pak informacion për grupin, si filluan përleshjet dhe çfarë synimi kishin sulmuesit.

Trazira gjithashtu vjen pas një sfondi krize të thellë politike që vjen pas pretendimeve të opozitës se kryeministri Nikola Gruevski urdhëroi mbikëqyrje të paligjshme të rreth 20,000 njerëzve.

Prej protestave anti-qeveritare dhe presionit për dorëheqje mbi Gruevskin, disa vëzhgues, përfshirë liderin e opozitës Zoran Zaev, shprehën dyshimin se autoritetet po përpiqeshin të shpërqendronin publikun nga kriza dhe protestat masive të planifikuara për 17 maj – duke orkestruar trazirë etnike.

Dhuna në Kumanovë shpërtheu pas shenjave se komuniteti i madh shqiptar në Maqedoni do t’i bashkohej protestave kundër qeverisë dhe raporteve se maqedonasit dhe shqiptarët po bashkoheshin për të përmbysur Gruevskin.

Teoritë rreth Shqipërisë së Madhe

Ngjarjet në Maqedoni nxitën zyrtarët serbë të sigurisë, ekspertët dhe median të fillojë paralajmërimin e publikut për rrezikun e krijimit të Shqipërisë së Madhe, një koncept i mbrojtur nga disa shqiptarë dhe i cili kërkon bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet që do të përfshinte Shqipërinë, Kosovën si dhe pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

E përditshmja serbe Blic publikoi një faqe të parë më 19 maj me vetëm një titull të madh ku shkruhej “Shqipëria e Madhe troket në derë”.

Më 12 maj, e njëjta e përditshme e mbuloi faqen e parë me ngjarje në Maqedoni, duke pretenduar se ato ishin orkestruar nga Daut Haradinaj, një deputet në parlamentin e Kosovës dhe duke thënë se ai planifikonte të sulmonte pjesët e populluara nga serbët në qytetin verior të Kosovës, Mitrovicë.

Blic nuk ishte e vetmja media që shpërndau frikën e Shqipërisë së Madhe dhe konfliktet me shqiptarët e Kosovës. Tabloidi Kurir më 10 maj publikoi një artikull ku thoshte se një Ushtri e rigjallëruar Çlirimtare e Kosovës po planifikonte një ‘luftë totale’.

Pretendimet rreth një lufte të re të mundshme në Ballkan u publikuan edhe në të përditshmen proqeveritare Informer më 14 maj. E përditshmja citoi një raport të pretenduar si i CIA-s që paralajmëronte një luftë të mundshme në Ballkan mes shqiptarëve dhe ortodoksëve serbë, maqedonasve, grekëve dhe bullgarëve.

Lajmi i sulmeve të reja të pashmangshme të pretenduara, këtë herë në Serbi, nxiti media të tjera të përfshihen. E përditshmja Vecernje Novosti publikoi më 14 maj se 50 veteranë të UÇK planifikonin të sulmonin policinë dhe ushtrinë në jug dhe qendër të Serbisë.

Të tillë tituj shtynë gazetarin veteran të televizionit në Maqedoni, Borjan Jovanovski t’i bëjë thirrje në Twitter kolegëve të tij serbë të mos përhapin panik.

“Çfarë më shqetësoi më shumë ishte fakti se u përpoqa personalisht të kontaktojë disa media në Serbi për të ndarë informacionin se Maqedonia nuk ishte në sulm dhe se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve ishin më të mira se kurrë,” tha ai.

“Nuk kam parë asnjë prej tyre të publikojnë deklaratat e tyre, që më bëri të mendoj se nuk ishte vetëm amatorizëm por një tendencë me një prapaskenë politike,” shtoi Jovanovski.

Idro Seferi, korrespondent në Beograd për një numër mediesh kosovare dhe shqiptare, thotë se media serbe i ka mbuluar ngjarjet në Maqedoni sipërfaqësisht dhe me disa paragjykime.

“Ato nuk ndjekin asgjë veç paragjykimit. Fakti se disa mendojnë se nuk mund të shkojnë të raportojnë nga Kosova nuk do të thotë se është realitet,” tha Seferi, duke shtuar se mediat serbe drejtohen nga një paragjykim se të gjithë shqiptarët janë terroristë dhe se mbështesin dhunën.

“Shqiptarët janë demonizuar në median serbe për më shumë se dy dekada. Kjo krijon një problem kur duhet të ndryshosh diçka, sepse atëherë liderët serbë gjithashtu nuk mund të reagojnë ndryshe për shkak se turma nuk e pret këtë,” tha ai. “Ata kanë një axhendë anti-shqiptare me të cilën ata po përhapin frikë dhe po fshehin gjëra më pozitive”, shtoi Seferi.

Lufta e deleguar perëndimore me Rusinë

Mediat nuk ishin vetëm në përhapjen e frikës rreth Shqipërisë së Madhe dhe konflikteve të dhunshme me shqiptarët.

Petar Cvetkoviç, kreu i Agjencisë së Sigurimit Ushtarak të Serbisë, më 11 maj pretendoi se një grup i madh ‘terrorist’ shqiptarësh etnikë ishte aktiv në Maqedoni me një mision për të formuar një “Shqipëri të Madhe” dhe se Perëndimi e mbështeste këtë synim.

Momir Stojanoviç, kryetar i Komitetit për Kontrollin e Shërbimeve të Sigurisë në parlamentin serb, tha për Vecernje Novosti më 14 maj se projekti i Shqipërisë së Madhe ishte rreziku më i madh i sigurisë me të cilin përballet Serbia. Ai mohoi përjashtimin e idesë se ‘vala e terrorizmit’ nisur në Maqedoni mund të shkonte edhe në Serbi.

Stojanoviç, gjithashtu një anëtar i Partisë Progresive në qeveri, deklaroi se grupet gati për luftë kishin mbështetjen e SHBA.

Sipas tij, shtetet perëndimore duan të distancojnë Maqedoninë nga Rusia dhe të ndalojnë ndërtimin e mundshëm të një gazsjellësi, me anë të të cilit gazi rus do të hyjë në Europë përmes Turqisë, Greqisë, Maqedinisë dhe Serbisë.

“Është e mundur që fuqitë e mëdha me interesat e të cilave ky projekt nuk kombinon të kenë prekur më të dobëtën – Maqedoninë,” tha ai. “Serbia duhet të jetë e kujdesshme dhe të luftojë për veriun e Kosovës dhe Metohijën për të mos humbur Serbinë e jugut dhe qendroren”.

Ai nuk ishte i vetmi me të tilla pikëpamje. Milovan Drecun, kreu i Komitetit parlamentar për Kosovën dhe gjithashtu anëtar i Progresives, tha për TV B92 më 11 maj se konfliktet në Maqedoni mund të reflektojnë ‘një përbalje gjeopolitike mes Rusisë dhe Amerikës”.

Ai tha se shtetet perëndimore duan të heqin qeverinë e Gruevskit, që shihet si pro-ruse dhe të sjellin opozitën në pushtet. Drecun beson se ishte gjithashtu e pamundur të vinte në pushtet Zaev në zgjedhje, ndaj perëndimi vendosi të përdorte protestat dhe tensionet etnike për të rrëzuar Gruevskin.

“Mendoj se edhe një vendim për të riformuar Maqedoninë në një federatë të ndarë në pjesë maqedonase dhe shqiptare është marrë,” tha ai.

“Mund të vijë federalizmi i Maqedonisë dhe ky do ishte një hap drejt Shqipërisë së Madhe dhe pyetja është nëse do të shtrihet në pjesën tjetër të rajonit,” shtoi Drecun.

Rreziqet për qeverinë serbe

Eric Gordy, një ekspert Ballkani në Universitetin Kolegj të Londrës, tha për BIRN se mund të ketë disa arsye për raportimet e medias serbe dhe deklaratat e zyrtarëve serbë.

Qeveria serbe do të mbështesë aleatin e saj, Gruevskin, beson ai. “Gjithashtu mund të jetë e arsyeshme të thuhet se protesta popullore e çdo lloji kërcënon sundimin e tipit autoritar dhe personal që Vuçiç dhe Gruevski kanë të përbashkët,” tha Gordy.

Nga ana tjetër, deklaratat që distancojnë qeverinë serbe nga shqiptarët mund të sjellë mbështetje nacionaliste për qeverinë, në një kohë kur bisedimet e ndërmjetësuara nga BE mes Prishtinës mbi normalizimin e marrëdhënieve janë jopopullore.

“Qeveria serbe është në dijeni se pavarësisht kapitalit të madh ndërkombëtar politik që ka nga marrëveshjet negociatore me Kosovën, mund të përballet me një çmim të lartë politik në shtëpi” tha Gordy.

“Ngjarjet nxitëse si konflikti në Kumanovë ofrojnë një mundësi të artë për të qetësuar bazën e tyre politike. Në politikën amerikane ato i quajnë këto ngjarje ‘mish i kuq’, shtoi Gordy; çdo gjë që ka mundësinë t’i bëj shqiptarët të duken keq mund të jetë e dobishme për qeverinë serbe, u shpreh ai.

Borjan Jovanovski bie dakord se interpretimet mbi ngjarjet maqedonase si ato të para në median serbe mund t’i japin disa pikë zyrtarëve serbë.

“Ky lloj informacioni mban gjallë në axhendë stereotipin se shqiptarët janë një lloj kërcënimi për këdo në rajon, që i jep atyre disa pikë në politikën e përditshme,” tha ai.

“Ata me gjasë besojnë se duke vepruar kështu do të pakësojnë pozicionin e Prishtinës në negocime,” shtoi Jovanovski.

Megjithatë, Gordy paralajmëron se një narrativë e tillë mund të kthehet lehtësisht mbrapsht. “Do të ishte gabim të supozohej se audiencat e medias janë injorante. Ata mund të kapin idenë, ata e dinë se ku janë çuar më parë dhe ku po i çon kjo gjë,” tha ai duke iu referuar nacionalizmit që tërboi Ballkanin gjatë viteve nëntëdhjetë.

“Fushata si kjo mund të kenë pasoja dhe të diskreditojnë njerëzit që i orkestrojnë ato. Publiku maqedonas ka treguar tashmë se se pak besim ka te politikanët e vet drejtues dhe te media; nuk ka arsye pse publiku serb nuk do të mund të bëjë të njëjtën gjë,” përfundoi Gordy./Reporter/

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Të fundit