E enjte, 5 Korrik 2018
Prishtinê – Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thirrur gjatë ditës së sotme një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Kosovës.
Ai më pas në një konferencë për media ka treguar arsyet se pse është thirrur një mbledhje e tillë, njofton Klan Kosova.
“Tema e rendit të ditës ishte çështja e sigurisë pas presioneve të Beogradit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb që janë pjesëtarë të FSK-së”.
“Raportohet edhe në media, për sulme me armë dhe mjete shpërthyese që e rrezikojnë jetën e pjesëtarëve serbë të FSK-së. Këto në të kaluarën kanë ndodhur në veri, pastaj është raportuar edhe për kërcënime të tjera, por së fundi ka rezultuar me kërkesën për lirim të FSK-së nga një numër i pjesëtarëve serbë, nga një rajon i Kosovës, që nuk është veriu në këtë rast”.
Sipas Haradinajt, tërheqja e ushtarëve serbë nga FSK-ja vjen si pasojë e presionit të drejtpërdrejtë dhe të formave të ndryshme nga Beogradi zyrtar.
“Shumica e tyre në deklarimet e motiveve për lirim paraqesin presionin e ushtruar direkt nga autoritetet e Beogradit zyrtar, qoftë gjatë lëvizjeve të tyre në Serbi pra ndalimin, marrjet në pyetje dhe kërcënimet për jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre deri te instrumentet tjera që janë përdorë, përfshirë edhe mekanizmat tjerë të institucioneve paralele që operojnë në Kosovë të cilët kanë zbatuar këtë agjendë të presionit, shantazheve dhe kërcënimeve kundër pjesëtarëve të FSK-së, qytetarë serbë të Kosovës”.
Megjithatë, i pari i ekzekutivit kosovar ka thënë se kjo çështje nuk e ka cënuar sigurinë e përgjithshme në vend.
“Kjo nuk rezulton me prishjen e sigurisë së përgjithshme në vend, nuk ka një prishje të sigurisë së përgjithshme në vend. Ajo që del nga ky takim janë edhe veprimet e Kosovës që janë të nevojshme në këtë situatë të krijuar. Të gjitha institucionet janë në nivel të punëve dhe veprimeve të veta lidhur me këtë situatë të fundit të krijuar”.
Haradinaj ka insistuar se ky presion nga Beogradi nuk ka kuptim dhe është qasje e padrejtë.
“Dikur ka pasë një qasje të Beogradit zyrtar se serbët e Kosovës nuk duhet të marrin fare pjesë në institucionet e Kosovës, vite më herët. Sot serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë në Kosovë dhe marrin pjesë në jetën politike, institucionale, qeverisëse dhe shoqërore në vend”.
“Ky presion i këtillë është vërtetë i pakuptimtë, i dalë kohe se këto metoda kanë ndodhur dikur para 10 vjetësh dhe jemi të habitur nga kjo qasje e tillë, shumë e padrejtë”.
“Dikush po ushtron krim ndaj këtyre qytetarëve të Kosovës, të rinjve dhe të rejave, familjeve të tyre – është kundër Konventave, të Drejtave të Njeriut dhe kundër jetës dhe sigurisë së këtyre qytetarëve”.
Ai ka përfunduar duke thënë se Kosova ka vepruar me kohë dhe ka marrë të gjitha “veprimet e nevojshme si në planin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm që të sqarohet ky veprim i papranueshme i këtillë”.
Etiketa: Aktuale, FSK, Kosovë, Ramush Haradinaj