Tërhiqet urdhër arresti, Vulin nesër vjen në Kosovë


E enjte, 31 Tetor 2013

Prishtinë, 31 tetor – Ministri pa portfol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, nesër do të hyjë i papenguar në Kosovë. Kjo pasi Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka tërhequr urdhër-arrestin e lëshuar ditë më parë.

Tërheqjen e urdhër-arrestit për Vulinin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, njofton KTV. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një deklarim të tij për media, ka lënë të kuptohet se Vulin nuk do të arrestohet. Por, problem për kryeministrin është mënyra se si vishet zyrtari i Qeverisë serbe për Kosovën.

“Gjithmonë kemi thënë se Vulin duhet të vijë si njeri, si njeri i civilizuar. Si njeri i paqes dhe duke iu përmbajtur standardeve për mirëkuptim dhe afrim, e jo me uniformë të paramilitarit”, ka thënë kryeministri në një intervistë për televizionin e Sarajevës, BHT1. Kur është pyetur direkt nëse do të arrestohet nëse e keqpërdor vizitën, Thaçi u përgjigj shumë ngjashëm. “Vulini ka provuar të hyjë në Kosovë si paramilitar, dhe është e qartë se kjo nuk është e lejueshme. Nëse hyn në mënyrë joligjore, si paramilitar, ju premtoj se do të arrestohet dhe do të përballet me ligjin”, ka thënë Thaçi.

Të fundit