E shtunë, 19 Prill 2014
Prishtinë – Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka ftuar të gjithë të rinjtë që luftojnë në Irak dhe Siri, që të kthehen në Kosovë. Në këtë kontekst, ai u ka “premtuar atyre” riintegrimin në shoqëri.Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka ftuar të gjithë të rinjtë që luftojnë në Irak dhe Siri, që të kthehen në Kosovë.
Sipas tij, shkuarja për të luftuar në Siri, nuk ka asnjë bazë dhe parim islam. Në këtë kontekst, ai gjithashtu u ka “premtuar atyre” riintegrimin në shoqëri.
“Bashkësia islame e Kosovës qysh në vitin 2012 është deklaruar, pastaj edhe gjatë vitit 2013 por edhe tani në vitin 2014, se marrja pjesë e disa të rinjve në luftë në Siri, apo tash së fundi edhe në Irak, nuk ka asnjë mbështetje në parimet, në konditat apo themelet e Islamit”, ka thënë Tërnava.
“Edhe një herë shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë ata të rinj, të cilët janë të përfshirë në luftë në Siri e disa edhe në Irak, që të kthehen. E bëjë këtë thirrje edhe si myfti i Republikës së Kosovës, e bëjë këtë thirrje edhe si një prind”, ka thënë myftiu Tërnava, në një intervistë për RTK-në.
Sipas tij, në Irak dhe Siri nuk po zhvillohet luftë e shenjtë, dhe “këta të rinj janë mashtruar nga grupe dhe individ të caktuar, të cilët nuk i duan të mirën Kosovës”.