Terrori i tankeve serbe në Kosovën Lindore


E mërkurë, 3 Maj 2017

Valon JASHARI*

Terrori i tankeve të shtetit serb në këto dy ditët e fundit në Kosovën Lindore, në Preshevë, Bujanocë dhe Medvegjë, duke defiluar në çdo kohë dhe hapësirë shqiptare edhe atë edhe në meset e banuara me popullatë shqiptare civile dhe në mesin e ditës në mes të fëmijëve e nxënësve edhe njëherë po dëshmohet se politika shtetërore serbe me në krye me kryeministrin Vuçiq janë vazhdimësi e politikës hegjemoniste e gjenocidiale anit-shqiptare e anti-perëndimore. Pasardhësit e nostalgjikët e politikës së Millosheviqit ende po i reflekton hija e tij në politikëbërjen e shtetit serb dhe shumë larg qëndron shteti serb ndaj parimeve dhe obligimeve që duhet të ndjekë ndaj Bashkimit Europian. Politika serbe është e përqendruar më shumë drejt destabilizimit përkrah asaj politikës ruse që kohëve të fundit në ballkan ka shfaqur interese për destabilizim.

Refleksionet me pretekst të politikës në Maqedoni, shteti serb po sjell këto konvoje të tankeve të artilerisë së rëndë luftarake edhe atë duke përqendruar në shumë vendbanime shqiptare, edhe pse shikuar për kokë banori ky rajon ka më së shumti ushtarë të përqendruar në këtë rajon dhe mund të konsiderohet rajoni ndër më të militarizuarit në këtë pjesë të europës-juglindore. Ky militarizim i zonës në hapësirën shqiptare ka konotacione të pastra politike atë me elemente të frikësimit e shfaqjes së pasigurisë e terrorit shtetëror serb mbi këtë popullatë shqipëtare e cila është mbetur e lënë nën harresën e mekanizmave ndërkombëtarë. Serbia duke dashur që të demostrojë forcën e saj ushtarake në rajon gjë të cilën as që e ka, pasi që është e ngodhrur politikisht e ushtarakisht vetëm me manovrime të tilla ushatrake ndaj zonave civile, mundohet të jetë faktor stabiliteti e që në fakt gjithnjë është faktor destabiliteti. Rajonin e Kosovës Lindore shteti serb kohëve të fundit e përdor si trampolinë për destabilizim dhe aq poshtë ka rënë niveli i politikës serbe sa që nuk shkon java duke përdorur kërcënime ndaj liderëve lokal shqiptarë të cilët janë aq të pafuqishëm sa që nuk kanë prapa tyre as edhe sa një shoqatë e gjuetarësh për të mbrojtur veten e as për t`i rezistuar kësaj politike hegjemoniste serbe. Shteti serb në këtë rajon ka filluar të i dallojë shqiptarët e mirë dhe ata jo të mirë, ata që duhet favorizuar dhe ata që duhet luftuar, ata që janë irridentista dhe ata lojalista, ata që heshtin gjenocidin shtetëror serb dhe ata që ngrisin zërin, me këso fragmentizimesh duan që mos të ketë unifikim kjo provicë e harruar, pasi që shumë mirë shteti serb e di se sa janë të vendosur politikanët e kësaj ane, dhe sa janë në gjendje të vdesin në këmbë se sa të jetojnë në gjunjë.

Konceptet politike për ata liderë lokal në Preshevë, Bujanocë dhe Medvegjë nuk ekzistojnë, ekziston kolltuku për të ngrënë ende dinarin e qelbur të Serbisë që po ja vrasin me atë dinarë edhe perspektivën kombëtare e europiane fëmijëve të tyre, se ajo përulje nuk ka definicion tjetër pos skllevëri dhe se skllevëria më e madhe është të mos kesh liri e të mos konsiderohesh i lirë, dhe liria është një thelb i vuajtjes së shpirtit e mendjes dhe aty ku s’ka liri mendja dhe shpirti janë të vdekura. Dhe fundja paqja nuk mund të ruhet kur tërë ajo popullatë ndjehet e përballet me skllevëri, dhe se ora e vëtëdijes kombëtare edhe tek ajo popullatë ngadalë po afron, dhe se këmbana e lirisë ka filluar të kumbojë.

*Historian, ish-veteran i UÇPMB-së, ish-Kryetar i “Lëvizjes së Lirisë”, lëvizje që vepron në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ish i burgosur në grupin e Dobrosinit dhe tani akoma në këtë proces gjyqësor si dhe aktivist për të drejtat e shoqërisë shqiptare.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa: ,