Testi i maturës, sërish tentime për manipulime


E shtunë, 20 Qershor 2015

20150620124843339620

Prishtinë – Maturantët e Kosovës kanë filluar ta mbajnë pjesën e dytë të Testit të Maturës.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka vizituar disa shkolla për të parë për së afërmi si po shkon ky proces. Ai tha se ka pasur tentime të manipulimeve, por këto gjëra do të dështojnë pasi që janë duke u bërë përcjellje të vazhdueshme edhe me Policinë e Kosovës.
Gjatë vizitës së tij në shkollë “28 Nëntori” në Prishtinë, ai tha se pjesa e dytë e testit të maturës ka filluar dhe se sipas vëzhgimeve gjithçka është duke shkuar në rregull, pasi që ka një përkushtim të madh nga ana e nxënësve.
“Sot ka filluar pjesa e dytë e maturës shtetërore. Nga vëzhgimi po duket se gjithçka është në rregull, po duket se ka një seriozitet, ka një përkushtim të nxënësve dhe ne urojmë që të gjithë ta kuptojmë që matura shtetërore është një test edhe kombëtarë për pjekurinë tonë për të administruar një proces kaq të rëndësishëm. Po shohim një përkushtim të nxënësve, të administratorëve për mirëvajtje çfarë e kemi pasur edhe më parë”, tha Bajrami.
Edhe për ditën e sotme, Bajrami tha se ka pasur tentime të manipulimeve, por sipas tij këto gjëra do të dështojnë pasi që janë duke u bërë përcjellje të vazhdueshme edhe me Policinë e Kosovës. Ndërsa për ata që tentojnë të manipulojnë, Bajrami tha se do të merren masa.
“Jemi duke përcjellë sepse përsëri ka pasur përpjekje manipulative për të hapur faqe virtuale për të cilat është alarmuar Policia e Kosovës, personalisht nga unë në mëngjes, jemi duke përcjell dhe do të marrim masa ndaj të gjithëve. Por, këta thjeshtë janë manipulues të cilët dëshirojnë të përfitojnë duke hapur faqe ilegale të internetit dhe për të shpërndarë përgjigje të gabuara. Edhe herën e kaluar kemi vërejtur se përveç se nuk i kanë ndihmuar nxënësve, por i kanë penguar sepse i kanë dhënë përgjigje të gabuara”, tha Bajrami.
Ai luti të gjithë nxënësit që të mos bien pre e këtyre manipulimeve por të koncentrohen në testin e tyre të maturës, pasi që ata janë vetë inteligjentë dhe nuk kanë nevojë për ndihmën e askujt.
Pasdite Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës, do të mbajë konferencë për media për mbarëvajtjen e Provimit të Maturës.

Të fundit