Thaçi e quan historike marrëveshjen Kosovë-Serbi


E enjte, 27 Shkurt 2014

Prishtinë, 27 shkurt – Arritja e marrëveshjes ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, është një e arritur historike, që do të ndikojë substancialisht në integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

Këto komente kryeministri Hashim Thaçi i bëri në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz.

Në takim është biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe në rajon, për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Austrisë dhe për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Thaçi i shprehu ministrit të Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz mirënjohjen e thellë për mbështetjen që Qeveria e Austrisë i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që nga periudha e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës dhe tani në periudhën e integrimit dhe zhvillimit.

Duke folur për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Austrisë, Thaçi i vlerësoi lartë ato dhe shprehu vullnetin e Qeverisë dhe të gjitha institucioneve kosovare për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Marrëveshjen ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë e quajti të arritur historike.

Etiketa: , , ,
Të fundit