E hënë, 24 Shkurt 2014
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e 7-të të kryeministrave të vendeve anëtare të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka premtuar se do të vazhdohet me thellimin e reformave ekonomike në Kosovë, zonave të lira ekonomike, shpenzimeve dhe tatimeve më të ulëta në Evropë, qasjes së lirë në tregun e Bashkimit Evropian dhe Evropës Juglindore, sigurimin e investimeve të huaja, përmirësimin e infrastrukturës, si dhe reformat e vazhdueshme në përmirësim të klimës investive.
“Vetëm para pak vitesh ishte vështirë të besohej se kryeministrat e rajonit do të jenë pjesë e një paneli të përbashkët për të diskutuar çështje kryesisht ekonomike.
Është kënaqësi e veçantë të përfaqësoj Kosovën, si një nga anëtaret më të reja në BERZH”, ka thënë kryeministri Thaçi”.
Ai tha se nga paslufta BERZH ka mbështetur Kosovën dhe ka shprehur shpresën që edhe në të ardhmen BERZH do të vazhdojë të mbështes ekonominë e Kosovës, përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, dhe të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin e rajonit.
“Prej shpalljes së pavarësisë me 2008, Kosova ka vazhduar progresin e saj si vend demokratik dhe vend me zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Deri më sot, 106 vende të botës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.
“Ne jemi shumë afër përfundimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian dhe po ashtu jemi në dialog të vazhdueshëm me fqinjin tonë Serbinë, për të normalizuar marrëdhëniet në mes të dy vendeve tona për një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe gjithë rajonin”.
Ai tha se përgjatë këtyre viteve Qeveria e Kosovës ka përfunduar projekte të mëdha kapitale, duke përfshirë këtu ndërtimin e autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, si dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës që është padyshim ndër më të mirët në rajon.
“Tani që kanë kaluar 15 vite pas intervenimit të NATO-s, Kosova ka arritur të funksionalizojë një ekonomi të tregut të lirë dhe të bëhet partner serioz për rajonin dhe më gjerë.
Gjatë kësaj rruge ne kemi arritur të ndërtojmë infrastrukturën rrugore me standarde evropiane, kemi përmirësuar ambientin e biznesit duke ulur taksat, duke siguruar një fuqi punëtore të lirë dhe fleksibile, duke eliminuar barrierat e qasjes në treg dhe duke garantuar me ligj trajtimin e barabartë të investitorëve ndërkombëtarë dhe vendorë”, tha ai.
Mëtej Thaçi ka thënë se në 5 vitet e fundit, Kosova ka pasur një rritje të GDP-së mesatarisht prej 5% , e cila konsiderohet arritje e madhe për institucionet e Kosovës.
“Kjo rritje ekonomike është arritur përkundër krizës ekonomike globale e cila ka pasur efekte negative edhe në rajon.
Trendet ekonomike pozitive në Kosovë janë indikator i reformave që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka iniciuar një sërë reformash të cilat kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të biznesit, forcimin e sektorit privat, si dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Investimet private kanë qëndruar tek 20 – 22% i GDP-së gjatë 5 viteve të fundit, kurse investimet publike janë rritur nga 5%në 12% të GDP-së”, ka thënë kryeministri.
Kryeministri ka thënë se investimet kapitale janë rritur vazhdimisht që nga shpallja e pavarësisë. “Ato janë rritur nga 154 milion euro në vitin 2008, në 500 milion euro në vitin 2013”.
“Të gjitha këto përpjekje për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes janë reflektuar në përmirësimin e rangimit të Kosovës në raportin e Bankës Botërore e të Bërit Biznes 2014. Ne kemi pasur një përmirësim të ndjeshëm për 40 vende për 2 vitet e fundit.
Kosova është shpallur zyrtarisht si top reformatori i 5-të në botë nga 185 shtete që janë në konkurrencë, duke lënë prapa shumicën e shteteve të rajonit për numrin e reformave që janë realizuar këto dy vitet e fundit”, tha ai.