Jahjaga përshëndet nënshkrimin e marrëveshjeve


E mërkurë, 26 Gusht 2015

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga përshëndet nënshkrimin e katër marrëveshjeve në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë sonte në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si një moment të rëndësishëm për fuqizimin e rendit tonë kushtetues dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Presidentja Jahjaga, e cila zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, njëherit udhëheqës i delegacionit shtetëror në bisedimet me Republikën e Serbisë, theksoi se marrëveshjet forcojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe integritetin territorial, dhe aspiratën tonë për ta bërë Kosovën shtet gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe me prosperitet.

Ato po ashtu ndihmojnë në integrimin e komunitetit serb në jetën institucionale dhe shoqërore të vendit, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

Arritja e pakos së marrëveshjeve, përfshirë kodin e mëvetësishëm telefonik, dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e Republikës së Kosovës në procesin e dialogut, suksesi i të cilit do t’i ndihmojë edhe konsolidimit të mëtejshëm ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe perspektivës së saj të qartë evropiane.

Etiketa: ,
Të fundit