E hënë, 15 Shkurt 2016
Prishtinë – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se veprimet e opozitës po i bëjnë dëm shtetit e jo koalicionit qeverisës.
Sipas tij, ka hapësirë për komunikim mes pozitës dhe opozitës, për të gjetur zgjidhje.
Në emisionin “Monitor” të RTK-së, ai ka folur edhe për çështjen e presidentit, për të cilën ka thënë se nuk ka asnjë dilemë se do të zgjidhet në mënyrë kushtetuese dhe me votat e deputetëve nga koalicioni qeverisës, ashtu siç e thotë marrëveshja.
Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi tha se nuk është zgjidhje dhe qasje e drejtë, që përmes dhunës dhe metodave jo-demokratike, të synohet që të arrihen objektivat politike.
Sipas tij, kauza e opozitës është e padrejtë dhe metodat e përdorura nga ta janë të papranueshme për qytetarët dhe për ndërkombëtarët.
Derisa foli për kërkesën e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, Thaçi tha se ato do të ndodhin në vitin 2018.
Ai tha se opozita e di rezultatin që do të dilte nga procesi zgjedhor.
“Nuk janë të disponuar për zgjedhje sepse e dinë rezultatin. Më shumë është zhurmë. Nuk do ta pranojnë rezultatin zgjedhor dhe do të vazhdojnë me veprimet e tyre. Tash ne a të bëjmë procese zgjedhore për çdo tre muaj derisa një parti të del e para”, ka thënë Thaçi.