Thaçi uron Sami Lushtakun, thotë se lufta e UÇK-së është e shenjtë


E martë, 4 Korrik 2017

Prishtinë – Thaçi thotë se lufta për liri e UÇK-së është vlerë thelbësore e shtetit tonë. “Kjo vlerë, që nënkupton sakrificën e brezave të tërë për lirinë dhe pavarësinë tonë, është e shenjtë dhe e përhershme”, shprehet Thaçi.

Sipas tij, përpjekjet për ta njollosur këtë vlerë janë të pakuptimta dhe të padrejta dhe se konfirmimi i pafajësisë së Kryetarit të Komunës së Skenderajt dhe lirimi nga të gjitha akuzat është edhe një tjetër dëshmi për këtë.

“Prandaj, e uroj nga zemra kryetarin Sami Lushtaku dhe shpresoj se pafajësia do t’u konfirmohet edhe bashkëluftëtarëve të tjerë, që edhe ata të mund t’u kthehen familjeve të tyre”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Gjykata Supreme mori dje vendim për lirimin e Sami Lushtakut. 

Ish-komandanti i zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, në maj të vitit 2015 ishte dënuar me 12 vjet burgim, gjë që u bë në bazë të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur “D”.

Mirëpo, në nëntor të vitit 2016 Gjykata e Apelit e shpalli atë të pafajshëm për veprën penale “Vrasja e një personi civil të burgosur shqiptar”, me ç’rast i heqi 12 vjet burg, me të cilat u dënua fillimisht nga Gjykata Themelorë në Mitrovicë.

Por, Gjykata e Apelit, megjithatë, e dënoi Lushtakun me 7 vjet burgim për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’, që ndërlidhet me Përgjegjësinë Komanduese”, nga e cila akuzë ishte liruar më parë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Etiketa: , , ,
Të fundit