E diel, 1 Tetor 2023
LONDËR – Serbia ka tërhequr disa nga trupat e saj nga kufiri i Kosovës pas paralajmërimeve të SHBA-së se mund të përballet me masa ndëshkuese për atë që Shtëpia e Bardhë e quajti një grumbullim “të paprecedentë” të trupave dhe armatimit serb.
Mediumi britanik “The Guardian” shkruan se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq njoftoi se kishte urdhëruar tërheqjen e trupave. Në një deklaratë për Financial Times, ai tha se çdo veprim ushtarak do të ishte kundërproduktiv, duke shtuar: “Serbia nuk dëshiron luftë”.
“The Guradian” raporton se një zyrtar i qeverisë kosovare konfirmoi një tërheqje të pjesshme serbe të shtunën, me largimin e trupave dhe pajisjeve që ishin zhvendosur në pozicionet përreth kufirit në pesë ditët e fundit, duke lënë pas një forcë ende të konsiderueshme që është e vendosur përgjithmonë në zonë.
utje mediumi britanik shkruan se tërheqja pasoi pas një deklarate publike nga Shtëpia e Bardhë e cila shprehi shqetësimin e saj, si dhe pati një thirrje të ashpër drejtuar Vuçiqit nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken dhe pëforcimin e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), me qindra trupa britanike.
Në bisedën e tij me Vuçiqin, Blinken bëri thirrje për “deeskalim të menjëhershëm” dhe një kthim në marrëveshjen e tij të mëparshme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Të shtunën në mbrëmje, ambasadori i Gjermanisë në SHBA, Andreas Michaelis, e përshkroi situatën si “një tjetër fuçi baruti në Evropë” dhe një rrezik që duhet marrë seriozisht.