“T’i mbysim anijet e emigrantëve, siç bëmë me shqiptarët”


E hënë, 20 Prill 2015

PicMonkey-Collage5-595x620 (1)

Romë – “E vetmja zgjidhje është përmbysja e anijeve, siç është bërë me Shqipërinë”. Deputetja italiane, Daniela Santanche, foli sot për një strategji vetëmbrojtjeje , duke mos e cilësuar si tragjedi mbytjen e anijes me rreth 900 persona, por e quajti tragjedi qeverinë “Renzi”.

Daniela Santanche është deputetja e partisë Forza Italia, njëkohësisht krahu i djathë i Silvio Berlusconit. Deklarata e saj për televizionin SKY TG24 shokoi gazetarin, pasi tha se forcat e marinës duhet të përmbysin anijet me emigrantë.

“Nuk është tragjedia më e madhe në Mesdhe, por tragjedia e qeverisë italiane, që nuk i përballet në mënyrën e duhur problemit. Nuk ka kohë për të pritur, duhet të çohet marina jonë për të përmbytur të gjitha anijet, siç ka ndodhur në Shqipëri. Nëse më pas kjo është një veprim lufte apo nuk është, pak rëndësi ka. Më mirë një akt lufte, sesa të humbim luftën. Zgjidhja e vetme është që të përmbysim anijet, që të mos nisen më. Kjo dëshira për t’i shpëtuar të gjithë, në fund na i lyen duart me gjak. Kjo është e vetmja mënyrë që mund të bëhet. Janë lot krokodili të atyre që thonë se është një tragjedi e vërtetë, tragjedia e vetme është e qeverisë sonë”, deklaroi Santanche.

Pavarësisht deklaratës së fortë, deputetja i qëndroi deri në fund mendimit të saj, madje ‘kërkoi’ që forcat e marinës të vepronin në mënyrë të pavarur nga qeveria, për t’i shkuar deri në fund zgjidhjes së kësaj çështjeje.

“Qeveria “Renzi” nuk bën aksione. Forcat e marinës duhet të përmbysin anijet që nisen nga Libia, kjo është bërë në të kaluarën. Nëse përmbyten të gjitha, ndoshta s’do nisen më”, tha deputetja e Forza Italia.

Deklarata e saj vjen vetëm një ditë pas tragjedisë në Mesdhe, ku të paktën 700 emigrantë humbën jetën, pasi anija me të cilën po udhëtonin u përmbyt në kanalin e Sicilisë, 60 km në veri të Libisë.

Të fundit