Tingujt e Karaibeve takojnë me ritme të buta elegancën evropiane


E diel, 8 Qershor 2025

Koncerti recital i pianistit Marcel Mora, përveç virtuozitetit të tij teknik, ka shpalosur edhe një qasje eksperimentale e të rafinuar ndaj interpretimit klasik. Programi i ndarë në dy pjesë ka përfshirë emra të mëdhenj si Schumann e Beethoven, si dhe kompozitorë më pak të njohur nga Kuba dhe Suedia, të cilët i dhanë ngjyrë dhe freski koncertit

Me një interpretim të thellë emocional dhe me një përzgjedhje repertori që udhëtonte nga Gjermania romantike drejt ritmeve të Kubës dhe tingujve nordikë, pianisti Marcel Mora solli një mbrëmje të rrallë muzikore në Prishtinë. Në kuadër të edicionit të 15-të të “Chopin Piano Festit”, Mora performoi të premten mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ku publiku përjetoi jo vetëm virtuozitetin e tij teknik, por edhe një qasje eksperimentale e të rafinuar ndaj interpretimit klasik. Programi i ndarë në dy pjesë ka përfshirë emra të mëdhenj si Schumann e Beethoven, si dhe kompozitorë më pak të njohur nga Kuba dhe Suedia, të cilët i dhanë ngjyrë dhe freski koncertit.

Marcel Mora është pianist me prejardhje kubane, i cili jeton dhe vepron në Suedi. Ai është formuar profesionalisht në mjediset muzikore të Evropës Veriore, ndërsa në repertorin e tij gjithmonë përpiqet ta ruajë një lidhje të fortë me rrënjët e veta kubane. Kjo u dëshmua edhe në natën e koncertit, ku interpretimi i tij i veprave të Juan de Moya Portuondo dhe Ignacio Cervantes solli në sallë një ndjesi të ëmbël, plot ritëm e ngrohtësi tropikale.

Në gjysmën e parë të koncertit, ai e hapi mbrëmjen me pjesën “Arabeske Op. 18” të Robert Schumannit, ku solli një ndjeshmëri të brendshme dhe një artikulim të qartë. Më pas vijoi me pjesën “Sonata No. 14 in C-dur, Op. 27, No. 2” të Beethovenit me kohët “Adagio Sostenuto”, “Allegreto” dhe “Presto Agitato”. E trajtoi këtë sonatë jo si një sfidë teknike, por si një rrëfim të ngadalshëm që kulmon me një shpërthim emocional në kohën e tretë.

Pjesa e dytë solli një bashkëpunim të veçantë me pianistin Melos Buza, me të cilin interpretuan veprat për katër duar “3 Danzas for 4 hands” të Juan de Moya Portuondos dhe më pas pjesët “La camaguenyana”, Los delirios de Rosita” dhe “ Los muñecos” të Ignacio Cervantesit

Pjesa e dytë solli një bashkëpunim të veçantë me pianistin Melos Buza, me të cilin interpretuan veprat për katër duar “3 Danzas for 4 hands” me kohët “El Sol de Cuba”, “Hueso na ma” dhe “El Platano Verde” të Juan de Moya Portuondos dhe më pas pjesët “La camaguenyana”, Los delirios de Rosita” dhe “ Los muñecos” të Ignacio Cervantesit. Publiku u përfshi në mënyrë të veçantë gjatë “Los muñecos” të Cervantesit, ku një segment i interpretimit u dallua për qasjen e tij: në vend të tingujve të zakonshëm të tastierës, duart e pianistëve preknin lehtë me grushte trupin e pianos, duke krijuar një efekt ritmik dhe akustik.

Pas një pauze të shkurtër, gjysma e dytë përfshiu në lojë solo veprat “Frosoblomster for Piano Op. 16” me kohët “Sommarsang”, “Gratulation” dhe “Intag I sommarhagen” nga Wilhelm Peterson-Berger. Pas tyre, u luajt pjesa “3 Tonbilder for Piano Op. 4” me kohët “Pa vattnet”, “Barnmenuett” dhe “Om kvallen” nga Elfrida Andree. Krejt në fund pianisti i luajti edhe pjesët “A la antigua”, Ante el Escorial”, “Malaguena” dhe “La comparsa” nga Ernesto Lecuona, për ta përmbyllur natën me një ngjyrim tjetër nga netët e kaluara të festivalit.

Në fund të mbrëmjes, duartrokitjet e publikut nuk u kursyen. Pianisti që për herë të parë doli para audiencës prishtinase, e pranoi këtë reagim me përulësi dhe ngazëllim. Shpalosi përshtypjet e tij për këtë përvojë të parë në kryeqytet, dhe ndau një detaj personal që i jep kësaj mbrëmjeje edhe më shumë peshë.

“Ishte kënaqësi për mua të performoj për herë të parë në Prishtinë, ndihem shumë i lumtur sepse audienca po e shijonte koncertin, andaj kur publiku kënaqet, kënaqem edhe unë. Në Prishtinë do të vendosem për dy vjet për arsye të punës, andaj do të jem këtu për dy vjetët e ardhshëm”, ka thënë për KOHËN pianisti Marcel Mora në fund të koncertit.

Përzgjedhja e repertorit nuk ishte e rastësishme. Mora kishte ndërtuar një narrativë muzikore që shtrihet në disa kontinente, duke përfshirë elemente të traditave të ndryshme muzikore.

“Pjesët që i kam përzgjedhur sonte në fillim të koncertit ishin pjesë evropiane nga Gjermania, pastaj kalova te loja me katër duar në piano, sepse doja ta ftoja një pianist kosovar, ndërsa pjesa e dytë përmbajti muzikë nga vendlindjet e mia, Kuba dhe Suedia, ngase jam nënshtetas suedez tani. Me kënaqësi i luajta të gjitha pjesët, sidomos që sot është Dita e Suedisë”, ka shtuar ai në lidhje me programin.

Për organizatorët e festivalit, ky koncert përfaqësonte më shumë sesa një mbrëmje muzikore – ishte fryt i një bashkëpunimi të ri diplomatik e kulturor. Drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha, ndau prapaskenat që çuan në këtë bashkëpunim dhe vlerësimin për një pianist që tashmë është pjesë e komunitetit vendor.

“Sonte ishte nata e parafundit dhe pianisti Marcel Mora që jeton në Prishtinë për momentin dhe në bashkëpunim me Ambasadën suedeze, ata na njoftuan që e kanë një pianist në mesin e stafit të tyre, kemi pasur dëshirë të fillojmë një bashkëpunim me Suedinë, sepse është hera e parë që bashkëpunojmë me të”, ka thënë Luzha për KOHËN.

Me koncertin e Marcel Moras, “Chopin Piano Festi” ka hyrë në fazën e fundit të edicionit të tij jubilar

Pas një sezoni të ngjeshur me interpretime të klasikëve të mëdhenj evropianë, organizatorët kishin dëshirë që në fund të festivalit të sillnin një frymë më të lehtë, por jo më pak të thellë artistikisht.

“E kuptuam që ai është me origjinë nga Kuba dhe kur biseduam me të për programin, i thamë pse s’po na sjell pak atmosferë të atyre vendeve, edhe ashtu kemi pasur një maratonë të gjatë të koncerteve me repertor shumë të larmishëm me kryevepra pianistike, dhe tani kishim dëshirë një ngjyrë tjetër, freskuese dhe ta shohim një shije tjetër muzikore të një kontinenti tjetër që nuk e kemi dëgjuar aq shpesh në skenën tonë, kështu që na solli Marceli një mbrëmje të tillë, ritme të ndryshme dhe njëfarë freskie para një përmbylljeje që do ta kemi të hënën me pianistin Peter Donohoe”, ka shpjeguar Luzha motivin për ftesën drejtuar pianistit kubano-suedez.

Ndikimi i interpretimit të pianistit nuk u ndie vetëm tek organizatorët, por edhe te publiku, i cili e përjetoi këtë mbrëmje si një thyerje të bukur nga rutina e repertorit klasik. Mes tyre ishte edhe këngëtarja Vlera Kastrati, që ndau përshtypjet e saj për mbrëmjen.

“Kalova shumë mirë, vërtet, sepse Marcelin e njoh edhe personalisht dhe kam dëgjuar që është pianist i mirë, por ndryshe është kur e sheh personin në skenë. Çka sonte ishte natë e bukur, në krahasim me shumë net të tjera që kam qenë prezente është edhe fakti se solli risi, muzikën kubane që për ne është pothuajse e panjohur në nivelin e muzikës klasike, kështu që ishte njëfarë freskie shumë e bukur”, ka thënë për KOHËN këngëtarja Vlera Kastrati.

Me koncertin e Marcel Moras, “Chopin Piano Festi” ka hyrë në fazën e fundit të edicionit të tij jubilar. Pas katërmbëdhjetë netësh me interpretues nga mbarë bota, ka mbetur vetëm edhe një mbrëmje për ta përmbyllur këtë cikël të pasur muzikor. Të hënën, festivali do të mbyllet me pianistin britanik Peter Donohoe. Muzika e artistëve që kanë marrë pjesë në këtë edicion ka dëshmuar se tingujt, edhe kur vijnë nga brigje të ndryshme të botës, mund të gjejnë një strehë të përbashkët në shpirtin e dëgjuesit.

 


source

Leave a Reply

Të fundit