E hënë, 29 Gusht 2016
Tiranë – Qindra anëtarë të shoqërisë civile, profesorë, studiues, studentë dhe aktivistë janë mbledhur sot përpara Ambasadës së Kosovës në Tiranë për të kundërshtuar marrëveshjen për demarkacionin Kosovë – Mali i Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Të mbledhur përpara ambasadës protestuesit mbanin në dorë pankarta kundër “Demarkacionit” me mbishkrime “Nuk kemi tokë me falë”, “Pa u vra tradhtia nuk bashkohet Shqipëria”, “Lavdi dëshmorëve”, “Kosova nuk është në shitje”, etj.
Krahas parullave ata brohoritnin kundër votimit të “Demarkacionit” dhe heshtjes, siç e konsiderojnë ata, të politikës së Shqipërisë në lidhje me këtë çështje.
Në fjalimin e mbajtur gjatë këtij tubimi aktivistja e Shoqërisë Civile Brisilda Gjikondi u shpreh se nga marrëveshja Kosova humb kilometra tokë shqiptare të cilën ia fal Malit të Zi.
“Hipokrizinë dhe diplomacinë le t’a lemë pushtetmbajtësve. Ne duam atdheun tonë. Ndaj e mbrojmë qoftë edhe nga vetja”, shprehet ajo dhe bën thirrje që të mos votohet në Parlamentin e Kosovës.