Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Togerja e FSK-së e para në garën e mbajtur në Kroaci

Prizren Post | 16:19 - 13.05.2016

Sot në Kroaci u mbajt ceremonia zyrtare për shpalljen e ushtarit më të mirë për vitin 2016, e cila është mbajtur për dy ditë në poligonin ushtarak “Gjakovo”, në Grubisnjo-Polje të Kroacisë.

Në këtë garë, në konkurrencën e femrave, Toger Manushaqe Nura zuri vendin e parë dhe është nderuar me medalje.

Gara për përzgjedhjen e ushtarit më të mirë, që mbahet çdo vit në Kroaci, është njëra ndër garat ushtarake më të forta në botë.

Sipas një komunikate të FSK-së, në këtë garë ushtarake kanë marrë pjesë përfaqësuesit e 15 shteteve të NATO-s, si dhe shumë përfaqësues të shteteve partnere të Kroacisë.

“FSK-në e kanë përfaqësuar tre pjesëtarë të saj: Toger Manushaqe Nura dhe Tetarët Binak Podrimçaku dhe Feti Pronaj. Në garën për përzgjedhjen e ushtarit më të mirë të Kroacisë dhe atij ndërkombëtarë, kanë marrë pjesë 145 ushtarë, të cilët kanë marshuar 40 kilometra me 17.6 kilogram ngarkesë në shpinë, si dhe i kanë kaluar-ekzekutuar 13 detyra ushtarake. Pjesëmarrësit nga Kroacia, kanë garuar për zgjedhjen e ushtarit më të mirë të Kroacisë,ndërsa pjesëmarrësit nga shtetet e NATO-s, dhe ato partnere, kanë garuar për zgjedhjen e ushtarit më të mirë ndërkombëtarë, për të dy gjinitë. Edhe kësaj here, në garën ndërkombëtare, FSK-ja u dallua me performancën e saj të shkëlqyeshme, duke dëshmuar me përgatitjen e lartë profesionale dhe të barabartë me pjesëmarrësit e shteteve të NATO-s dhe atyre ndërkombëtar. Kështu, në konkurrencën e femrave, Toger Manushaqe Nura zuri vendin e parë dhe është nderuar me medalje, ndërsa në konkurrencën ndërkombëtare mjaftë të fortë të meshkujve, Tetar Binak Podrimqaku zuri vendin e tretë, ndërsa, Tetari Feti Pronaj të 13-tin, në konkurrencën ndërkombëtarëve”, thuhet në komunikatën e FSK-së.

Gara për përzgjedhjen e ushtarit më të mirë të Kroacisë dhe atij ndërkombëtarë është mbajt, më 11 dhe 12 maj.


Etiketa:
Arivisti Company