Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Topalli: 21 janari, grusht shteti, Balla: S’na tret dheu pa çuar Saliun në burg

Prizren Post | 15:41 - 21.01.2016

Tiranë – Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e cilëson protestën e 21 janarit të vitit 2011 një sulm të organizuar për të marrë pushtetin. Topalli akuzoi maxhorancën aktuale se në atë kohë tentoi të merrte pushtetin me dhunë, ndërsa shtoi se “shteti që morën më 23 qershor po shkon drejt greminës”.

“21 janari ishte një grup i organizuar i drejtuar dhe ka pasur një celulë, mbështetje biznesi, makineri. Aktivitet i organizuar që ka pasur plan politik. Jo mendoni se kryeministri do të ikte nga zyra e tij? Sali Berisha ishte burrë shteti. Harrojeni, me dhunë nuk mund të merrej pushteti. Nuk e morët dot kështu. E morët duke u bashkuar të gjitha qelbësirat kundër Sali Berishës. Dhe ja ku jemi sot. Shtetin e kanë mbuluar bandat, po shkon në buzë të greminës”, tha Topalli.

Balla: Urdhri i vrasjeve u dha nga Berisha, duhet të shkojë para drejtësisë

Në replikën e tij, deputeti socialist, Taulant Balla, tha se urdhri për vrasjet e 21 janarit u dha nga kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, dhe për këtë duhet të japë llogari para drejtësisë.

“Unë nuk kam asnjë dyshim që parafolësja apo Grida Duma tek foltorja e PD-së kanë vlerësimin që Berisha është burrë shteti. Edhe burrë edhe shtet janë shumë larg njëra-tjetrës, për të parën s’kam dyshim, për të dytën nuk shkon. Ti zonjë je specialiste për pjesën e parë, për të dytën nuk ke tagër për të dhënë vlerësim. Sa për maska, maskë më të madhe se ajo nuk ka. Tu thuash burrave të opozitës maskarenj, s’jeni burra e me radhë, për ca çoheni, e dëgjoni çfarë thotë, si u thua s’jeni burra burrave të opozitës. Sa për fjalimin zonjë, 5 vjet mbaj të njëjtin fjalim dhe deri sa shoku yt i bankës të shkojë në burg për vrasjet, të njëjtin fjalim kam për të mbajtur, nuk më dridhet zëri mua nuk jam Luli unë. Do mbaj të njëjtin fjalim deri sa shoku yt i bankës të japë llogari një për një. Nuk ka asnjë dyshim në Shqipëri se urdhri për vrasjet e 21 janarit u dhanë nga Sali Berisha. Nuk ka asnjë dyshim që të gjitha veprimet që bëtë më pas, çuat kapter Bujar Nishanin president Republike vetëm që të kontrollonit drejtësinë”, tha Balla.

Deputeti socialist tha se 21 janari do të zbardhet dhe fajtorët do të shkojnë atje ku e meritojnë.

“Si kujtoni ju? Se ne mund të harrojmë se në vend të Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe dy të tjerëve mund të ishte njëri prej nesh. Sa për amanetin e kemi bërë pjesën e parë, ndërsa pjesën e dytë të amanetit nuk na tret dheu pa e futur Sali Berishën në burg”./shekulli/


Etiketa:
Arivisti Company