E mërkurë, 10 Dhjetor 2014
Washington – Agjencia Qendrore e Zbulimit në SHBA ka bashkëpunuar me 54 shtete për marrjen në pyetje me anë të torturave të personave të dyshuar si terroristë dhe në mesin e këtyre vendeve gjendet edhe Shqipëria.
Në raportin e detajuar prej 6700 faqesh, lexohet se një nga vendet qe lehtësuan punën e CIA-s ishte edhe Shqipëria. Në raport nuk tregohet se ku konsistonte saktësisht “puna” e secilit vend.
Mësohet se janë 21 shtetet evropiane, mes të cilave 17 anëtare të Bashkimit Evropian që janë angazhuar në këto aktivitete të CIA-s.
Në raportin e senatit amerikan theksohet se CIA ka torturuar persona të dyshuar si terroristë pas sulmeve të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara, dhe për këtë është ndihmuar nga shumë vende të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
“CIA dhe autoritete të tjera të SHBA¬-së nuk kanë vepruar të vetme, por kanë krijuar marrëdhënie me një sërë partnerësh për të ndihmuar në zhvendosjen, torturën dhe arrestimin sekret të atyre që SHBA-ja dyshonte se kishin lidhje me terrorizmin”, thuhet në raport.
“Lista e vendeve evropiane që ishin bashkëfajtore në fluturimet e fshehta të CIA-S dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme të saj janë: Lituania, Britania e Madhe, Gjermania, Spanja. Portugalia, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Islanda, Austria, Republika Çeke, Italia, Maqedonia Greqia, Qipro, Kroacia, Bosnjë Hercegovina dhe Shqipëria”, raporton “The Guardian”.
Sipas informacionit të përpiluar nga “Fondacionet e Shoqërisë së Hapur”, të paktën 54 qeveri të ndryshme kanë bashkëpunuar me CIA-n në këto aktivitete. 21 prej tyre janë vende europiane, 17 prej të cilave në atë kohë anëtare ose që prisnin të bëheshin anëtare të Bashkimit Evropian, shkruan më tej gazeta britanike.
Komisioni i Senatit amerikan ka bërë të ditur se CIA kishte keqtrajtuar të burgosur që i dyshonte për terrorizëm dhe nuk i kishte dhënë informacionin e plotë kongresit dhe publikut lidhur me efektivitetin e këtyre metodave për të nxjerrë të dhëna nga të dyshuarit.
Ndër metodat e përdorura ishin privimi i gjumit dhe simulimi i mbytjes në ujë.
Presidenti amerikan, Barak Obama, e përshkroi përdorimin e asaj që është thënë të jetë torturë si një dëmtim i imazhit të Amerikës në botë.
“Nuk ka një kohë të përkryer për të publikuar një raport si ky, por kjo është një gjë që na dallon nga të tjerët. Kur bëjmë diçka të gabuar e pranojmë”, tha Obama, raporton Shekulli.
Etiketa: Amerika, cia, Shqipëria