Tranzicioni politik në Siri fillon më 1 gusht


E mërkurë, 18 Maj 2016

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi të martën se data 1 gusht do të jetë për palët e përfshira në konfliktin sirian si fillimi i kërkuar i një tranzicioni politik.

Sipas kushteve të planit të paqes, miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, regjimi i Beshar Esadit dhe opozita kanë afat kohor deri më 1 gusht për të rënë dakot për një tranzicion politik.

“Data 1 gusht nuk është një afat përfundimtar, është kryesisht një objektiv. Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm se, nëse shënohen progrese të dukshme dhe nëse ecet përpara në drejtimin e duhur, ky proces do të respektohet”, deklaroi Kerry në përfundim të takimit të Grupit Ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë.

Ndërkohë, kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov njoftoi të martën se Moska nuk do ta mbështesë regjimin sirian të Beshar Esadit.

“Nuk do ta mbështesim Esadin, ne do të mbështesim luftën kundër terrorizmit. Në terren ne besojmë se nuk ka forca më të pranishme dhe efikase sesa ushtria siriane, pavarësisht të gjitha mangësive të konstatuara”, shtoi ai.

Etiketa:
Të fundit