Tri pikat e Zaevit që nuk po i pranon Gruevski


E shtunë, 4 Korrik 2015

Shkup – Pas intensifikimit të takimeve të fshehta midis përfaqësuesve partiak me ndërmjetësuesit nga BE-ja dhe SHBA-ja, dhe sipas disa informacioneve edhe midis vet liderëve Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev, ka informacione se tashmë dy ditë nuk ka kontakte midis partive, transmeton zhurnal.mk

Edhe pse fillimisht paralajmërohej për dje se është planifikuar një takim i ri i liderëve, në pajtueshmëri me marrëveshjen nga takimi në Klubin e deputetëve të hënën, megjithatë erdhën pohimet nga partitë e përfshira në bisedime se një takim i tillë nuk është caktuar. Dialogu politik dje u vendos në takime individuale të liderëve partiak, Gruevski, Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi me kongresmenin amerikan Eliot Engel dhe ambasadorin e SHBA-së, Xhes Bejli.

Takim liderësh të katër liderëve më së voni pritet që të ndodh pas dy ditëve.

ULTIMATUM

Sipas burimeve nga partitë në pushtet, bisedat ende po pengohen për shkak të asaj që Zaevi nuk po lëshon pe nga pozicionet e tij për tri pika.

Dallimi i parë është aty se LSDM-ja po insiston në katër vende ministrore në Qeveri së bashku me funksionet tjera mbikëqyrëse që do t`i merrte opozita gjatë kohës së zgjedhjeve.

Kërkesa e dytë e Zaevit për të cilën nuk ka marrëveshje është ikja e Gruevskit nga pozicioni i kryeministrit.

Kërkesa e tretë ka të bëjë për kohën se kur do të futet në fuqi qeveria e re kalimtare. LSDM po kërkon që kjo gjë të ndodh gjashtë muaj para zgjedhjeve, kjo gjë do të nënkuptonte diku në tetor.

Etiketa: , ,