E diel, 8 Qershor 2025
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi për “pasoja shumë serioze” nëse miliarderi Elon Musk financon kandidatët Demokratë kundër Republikanëve që mbështesin legjislacionin e gjerë buxhetor të Partisë Republikane, transmeton Anadolu.
“Ai do të duhet të paguajë pasoja shumë serioze nëse e bën këtë”, tha Trump për NBC News në një intervistë telefonike të shtunën, ndërsa nuk pranoi të jepte detaje rreth pasojave që do të ishin.
Presidenti i SHBA-së vuri në dukje se nuk ka interes të përmirësojë marrëdhënien e tij me Muskun pas përplasjes së tyre të fundit publike, duke u përgjigjur me “jo” kur u pyet nëse shpresonte të pajtohej.
“Do të supozoja se po”, tha Trump kur u pyet nëse mendonte se marrëdhënia e tij me Muskun kishte mbaruar.
Pas ndarjes së tij publike me Muskun, Trump tha se beson që Partia Republikane është më e bashkuar se kurrë. Ai shtoi se nuk ka plane të flasë me shefin ekzekutiv të kompanisë Tesla, duke shtuar: “Jam shumë i zënë duke bërë gjëra të tjera”.
“Nuk kam ndërmend të flas me të”, tha ai.
Trump e kritikoi Muskun për “mungesë respekti” ndaj presidencës, duke thënë: “Mendoj se është një gjë shumë e keqe, sepse ai është shumë i parespekt. Nuk mund të tregosh mungesë respekti ndaj zyrës së presidentit”.
Të enjten, Musk ndau një seri postimesh në X që synonin presidentin Trump, përfshirë një postim tani të fshirë që i referohej lidhjeve të kaluara të Trumpit me financierin e gjykuar për krime seksuale Jeffrey Epstein.
Duke iu përgjigjur të shtunën, Trump e hodhi poshtë pretendimin. “Ky quhet ‘lajm i vjetër’”, i cili është diskutuar për vite me radhë.
“Edhe avokati i Epsteinit ka thënë se unë nuk kisha të bëja fare me të. Janë lajme të vjetra”. theksoi ai.
Debati publik midis Trumpit dhe Muskut shpërtheu të enjten pasi presidenti e kritikoi miliarderin për kundërshtimin e një mase politike të Republikanëve për shkak të ndikimit të saj të parashikuar në deficit. Përplasja u përshkallëzua shpejt, duke shkaktuar pasoja në Kongres dhe duke ndikuar në aksionet e Teslës.