“Trumpi i Brazilit” hyn në garën presidenciale


E hënë, 23 Korrik 2018

Sao Paulo – Një politikan i polemizuar i të djathtës ekstreme, Jair Bolsonaro, ka deklaruar zyrtarisht se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të Brazilit, në tetor.

Ish-oficeri i ushtrisë, aktualisht renditet i dyti në sondazhe, pas ish presidentit Luiz Inacio Lula da Silva. Por, ky i fundit, po kryen një dënim me burg për korrupsion dhe ka pak gjasa të kandidojë. Bolsonaro, ka fyer shumëkënd në Brazil me komente raciste dhe homofobike. Por, mbështetësit e tij e shohin atë si shpëtimtar në një vend të rënduar nga krimi.

Sidoqoftë, sondazhet e opinionit publik tregojnë se Bolsonaro mund të mos arrijë të fitojë zgjedhjet edhe nëse shkon në balotazh. 63-vjeçari Bolsonaro, u vetëshpall kandidat para mbështetësve në një tubim në Rio de Janeiro. Kongresmeni tha se ai do të përfaqësonte partinë social liberale, që konsiderohet një peshë e lehtë në politikën në Brazil, kjo do të thotë që ai do të ketë vetëm 10 sekonda kohë transmetimi në televizion për spote elektorale, gjatë fushatës dhe kjo përbën një pengesë të madhe.

“Ne nuk kemi një parti të madhe, nuk kemi financime të mëdha, nuk kemi kohë televizive. Por, ne kemi atë që të tjerët nuk e kanë, ne ju kemi ju, popullin e Brazilit”, tha Bolsonaro.

Ai ndiqet nga miliona brazilianë në mediat sociale dhe shumëkush e quan atë, Trumpi brazilian. Kandidati, që mbështet zbutjen e ligjeve për armët në vend si rrugëzgjidhje për uljen e kriminalitetit, mbështetet edhe nga miliona të krishterë evangjelistë, për qëndrimin e tij të palëkundur kundër abortit.

Etiketa: ,
Të fundit