Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Turistët e huaj vazhdojnë të eksplorojnë Prizrenin

Prizren Post | 11:26 - 05.08.2018

Prizren – Sheshi i Shadërvanit në Prizren, që përbën bërthamën e Qendrës Historike të qytetit, është përplot me njerëz gjatë ditëve të verës.

As moti me shi nuk i ndalon ata që të frekuentojnë zonën historike, ku tollovia e njerëzve shoqërohet me tinguj muzikorë e aromën e skarës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vizitorët më të shpeshtë janë ata nga diaspora, që bashkë me familjarët e tyre vendorë kalojnë kohën në lokalet gastronomike. Mirëpo në mesin e atyre që marrin rrugë të largëta për të ardhur deri në Prizren janë edhe turistët e huaj.

Këta të fundit përzihen në grumbullin e madh të njerëzve në përpjekje për t’i eksploruar historinë, kulturën dhe traditën lokale, brenda pak ditëve të qëndrimit të tyre.

Christina dhe Emma janë dy turiste nga Gjermania që kanë vendosur ta vizitojnë këtë verë Prizrenin, pas rekomandimeve të marra nga miqtë e tyre.

“Informatat e mëparshme që i kam pasur për Kosovën kanë qenë kryesisht të lidhura me luftën, respektivisht konfliktet ndëretnike. Mirëpo një mik i imi vitin e kaluar ka qëndruar disa ditë në Prizren dhe më ka rekomanduar që të vija për të parë gjallërinë e qytetit dhe bukuritë e tij natyrore e historike”, ka thënë Christina.


Etiketa:
Arivisti Company