Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

“Turqia është miku i Kosovës, jo FETO”

Prizren Post | 15:44 - 14.07.2017

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

PRISHTINË (AA)-Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, shprehu besimin se në procesin e përpjekjeve të luftimit kundër organizatës terroriste FETO, në një kohë shumë të afërt do të ketë zhvillime konkrete edhe nga autoritetet kosovare, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një konference për mediat ambasadorja Kılıç tha se 15 korriku nuk ishte një rebelim ushtarak i zakonshëm por një akt terrorist I përgjakshëm, prapa së cilit ndodhet Fetullah Güleni, i cili sipas Kılıç veten e cilëson si “imami i universit”.

Ajo gjatë kësaj konference foli për krimet e bëra, barbarizmin dhe sulmet e kësaj organizate gjatë natës së 15 korrikut si ndaj popullit turk ashtu edhe ndaj institucioneve si Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Kompleksit Presidencial, selisë së Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës dhe Qendrës së Operacioneve Speciale.

Duke vënë në dukje se 15 korriku është fitorja e demokracisë turke, Kılıç tha se të ashtuquajturit “Gülenistët”, e përbëjnë shembullin tipik të radikalizimit që bazohet në “kultin e individit”.

Ajo po ashtu tha se shpallja e menjëhershme e gjendjes së jashtëzakonshme pas tentim puçit nuk kishte për qëllim intervenimin në jetën e përditshme të qytetarëve, por se ishte e nevojshme për sigurimin e punës së shpejtë dhe të efektshme të organeve shtetërore në procesin e luftimit të kësaj organizate.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar: Nga Shqipëria duhen marrë të gjitha masat e nevojshme kundër FETO-s

Ndërkaq duke vënë në dukje se FETO është një organizatë terroriste me përmasa globale, Kılıç thotë se edhe në Kosovë kjo organizatë është prezente nëpërmjet organizatave joqeveritare, shtëpive mediale dhe ndërmarrjeve tjera të saj. Ajo theksoi se përgjatë një viti prej kësaj tentative kanë qenë në bashkëpunim me autoritetet kosovare në procesin për luftimin e saj dhe se ky proces do të vazhdojë edhe në të ardhmen, pas formimit të Qeverisë së re, nga vendi ku ka mbetur.

Duke vënë në dukje se në Kosovë pika e çelësit ndodhet në të ashtuquajturat institucione arsimore, Kılıç tha se ato po përdoren për shpërlarje të trurit të nxënësve dhe përgatitje të të rinjve për të qenë pjesë e kësaj organizate. Ajo po ashtu njoftoi se për të gjithë këto autoritetet kosovare janë të njoftuara dhe se atyre u janë treguar edhe pritjet e Turqisë nga ata.

“Është e rëndësishme që t’i vazhdojmë angazhimet tona kundër strukturimeve të lidhura me FETO-n, krah për krah, duke filluar nga institucionet arsimore. Ne në këtë aspekt po e ruajmë besimin tonë se edhe nga autoritetet kosovare do të shohim zhvillime konkrete në një kohë shumë të afërt”, thotë Kılıç.

Duke vënë në dukje se organizata terroriste FETO tani po përpiqet që ta forcojë praninë e saj edhe më shumë në shtetet jashtë Turqisë, Kılıç tha se “Turqia është shtet mik i Kosovës, Turqia është miku i Kosovës, e jo FETO dhe besoj se kjo do të kuptohet, perceptohet dhe njihet shumë mirë nga miqtë tanë. Nuk duam që ato që i kemi përjetuar ne të përjetohen në këtë vend. Allahu mos t’ia përjetoftë askujt një gjë të tillë, por ruajtë Zoti po të ketë ndodhur një gjë e tillë në Kosovë a po në vendet e Ballkanit Turqia do të bënte çmos për të vepruar krah me krah dhe në bashkëpunim, dhe do të bënte çdo gjë që ishte e nevojshme pa hezituar as një minutë”, tha Kılıç.

Ajo po ashtu theksoi se mund të jetë e vështirë që 15 korriku të kuptohet nga ata që nuk e kanë përjetuar drejtpërdrejtë dhe që kjo mund të marrë kohë, por shtoi se prapa atyre rrethanave që FETO-n e shohin dhe e prezantojnë ende si një lëvizje e pafajshme fetare, qëndron vetë FETO.

Ndërkaq, Kılıç duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve tha se po vazhdojnë punimet që pas formimit të Qeverisë së Kosovës, në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ta vizitojë Kosovën.

Në konferencë po ashtu u shikua një video ku tregohej se çfarë ka ndodhur atë natë kur ka ndodhur tentimi për puç, si dhe u ekspozuan fotografitë e Anadolu Agency, të realizuara gjatë tentativës për grusht shteti.



Bëni një koment