Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Tusk: Johnson tregoi gjendjen emocionale të shumë evropianëve

Prizren Post | 17:46 - 17.05.2016

Bruksel – Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, deklaroi se ish-kryebashkiaku i Londrës, Boris Johson “ka tejkaluar kufijtë e diskursit racional” pasi deklaroi se BE-ja ka qëllime të ngjashme me ato të udhëheqësit nazist, Adolf Hitler, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kur dëgjoj se BE-ja krahasohet me planet dhe projektet e Adolf Hitler-it, nuk mund të hesht. Argumentet e tilla absurde duhet me besim të plotë të injorohen nëse nuk janë formuluar prej ndonjë politikani me ndikim të partisë në pushtet”, deklaroi Tusk.

Në prag të përgatitjeve të britanikëve për referendum, i cili do të vendosë për qëndrimin ose daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, Johnson krahasoi Unionin e vendeve evropiane me Hitlerin, duke shtuar se të dyja palët “janë përpjekur dhe përpiqen që Evropa të bashkohet në super shtet, nën një autoritet të vetëm”.

“Boris Johnson tejkaloi kufijtë e diskursit racional, duke treguar amnezi politike. Në njëfarë mënyre, tregoi gjendjet psikike dhe emocionale të shumë evropianëve, jo vetëm në Britani të Madhe. Megjithatë, kjo në asnjë mënyrë nuk mund të jetë arsyetim për turbullira të tilla të rrezikshme”, – tha Tusk në konferencën gjatë vizitës në Kopenhagë.


Arivisti Company