Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

U bënë 19 vjet nga sulmi në familjen Jashari

Prizren Post | 10:46 - 22.01.2017

Skenderaj – Sot shënohet 19-vjetori i sulmit të dytë të Serbisë mbi familjen Jashari në Prekaz.

Atë ditë, më 22 janar të vitit 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998. Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin, transmeton KP.

Këtij sulmi i kishte shpëtuar Iliriana, e cila ndodhej në Akrashticë të Vushtrrisë. Ajo ishte e fejuar e më pastaj është martuar në Açarevë të Skënderajt, me Asllan Selimin, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, e vëlla i Rexhep Selimit.


Etiketa:
Arivisti Company