E diel, 13 Dhjetor 2020
PRISHTINË – Policia e Kosovës gjatë një operacioni të zhvilluar nën masa të veçanta të hetimit në Prishtinë, ka kapur në vepër tre persona duke shkëmbyer substancë narkotike. Të njëjtit janë arrestuar dhe janë konfiskuar mbi 50 kg drogë.
Policia, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se, më 12 dhjetor (e shtunë) rreth orës 18:50 në një parking të automjeteve në Prishtinë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) e Policisë së Kosovës pas një hetimi disa mujorë përmes aplikimit të masave të veçanta të hetimit ka zhvilluar një operacion policor me ç`rast ka ndaluar tre (3) persona të dyshuar nën dyshimin se kanë kryer vepër penale e sanksionuar me ligj, respektivisht në bazë të nenit 267 të kodit penal të RKS-së “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”
“Tre personat e dyshuar në momentin e ndalimit kanë qenë duke shkëmbyer sasi të substancës narkotike dhe janë arrestuar nga njësitet antidrogë të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Policia bën të ditur se në këtë operacion policor janë sekuestruar 51 kg e 664.6 gr substancë e dyshuar narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit Marihuanë, tri vetura, tetë telefona celularë, 980 euro, 30 franga,1 dollar para të gatshme.
Bëhet e ditur se në vendngjarje ka dalë edhe njësiti i forenzikës së Policisë së Kosovës për procedura të nevojshme.
“Në lidhje me rastin janë bastisur tri lokacione në Viti dhe gjatë bastisjes është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë me dy tyta, 32 fishekë të kalibrit të ndryshëm dhe 51.9 kg duhan”, thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit kompetent tre personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.
Etiketa: Kosovë, Narkotikët, Policia e Kosovës, Prishtinë