E diel, 25 Dhjetor 2016
Shkup – Në Shkup sot u mbajt takimi i liderëve të partive politike shqiptare në Maqedoni, raporton Anadolu Agency.
Në takimin e inicuar nga lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti i shoqëruar nga zyrtarja e lartë e kësaj partie Teuta Arifi, morën pjesë liderët e partive politike pjesë e Aleancës për Shqiptarët, gjegjësisht nga LR-PDSH-ja Zijadin Sela, nga UNITET-i Gëzim Ostreni dhe nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) Vesel Memedi. Ndërsa në takim nuk morri pjesë asnjë zyrtarë i Lëvizjes BESA dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).
Ahmeti pas takimit, në deklaratën për gazetarët, tha se kanë realizuar një takim duke patur vullnetin e mirë të shumicës së partive politike shqiptare.
Ai tha se dallimet janë shumë më të vogla se sa çështjet e mëdha të cilat i bashkojnë. “Ne si shqiptarë të dalim me një zë për çështje që kanë të bëjnë me gjithë shqiptarët në Republikën e Maqedonisë pa dallim se i cilës partie ose elektorati është, sepse gjërat që kanë të bëjnë me shqiptarët janë shumë të përbashkëta. Javën që pason ne sërish do të takohemi për të bërë një analizë mbi zhvillimet në vend dhe do ti harmonizojmë të gjitha qëndrimet si parti politike gjithmonë duke patur për bazë platformat dhe doktrinat tona. Gjithashtu do të hartohet një komunikatë me shkrim mbi takimin e cila do të shpërndahet për mediat më së voni deri nesër pas darke”, deklaroi Ahmeti.
Lidhur me mospjesëmarrjen e Lëvizjes BESA dhe PDSH-së, Ahmeti tha se “për këtë takim të gjtiha partitë politike janë thirrur, të gjitha janë dakorduar në një iniciativë të tillë”.
“Nuk më duket qëndrim i shëndetshëm edhe për vet BESA-n e cila nuk mori pjesë në këtë takim. Sa i takon PDSH-së ato me arsyetim të pranueshëm se janë në një proces tjetër dhe se shqyrtojnë kërkesën për një takim të përbashkët dhe ne mbetemi të hapur. Ky është një nga vlerësimet dhe vendimet unanime të bëra të subjekteve që përfaqësojnë që ftesa të mbetet e hapur edhe më tej për partitë politike si për BESA-n ashtu edhe për PDSH-në. Ftesa qëndron në takimin e radhës që ne do ta mbajmë javën që pason, janë të mirëseradhur”, thekson Ahmeti.
Ndërsa në lidhje me temën mbi të cilën është biseduar në këtë takim lideri i BDI-së, Ahmeti tha: “Kemi biseduar për të gjitha çështjet të cilat janë dhe po zhvillohen në vendin tonë. Kemi qenë shumë të hapur dhe analitik në të gjitha drejtimet. Për më konkretisht të gjitha gjëra do të pasqyrohen në vendimin e përbashkët, sepse presim edhe forca tjera politike që të na bashkohen për të nënshkruar një memorandum të përbashkët si shqiptarë”.
Ndërsa nga ana tjetër kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, takimin e vlerësoi si të rëndësishëm për politikbërjen shqiptare dhe kuptimin që duhet të marrë politikbërja shqiptare.
Ai tha se çdo herë ka qenë pro qëndrimit që duhet të ketë ura komunikimi mes subjekteve politike shqiptare pa marrë parasysh nëse janë në opozitë ose në qeverisje. “Ne jemi këtu për të bashkuar veprimin politik dhe jo subjektet politike. Në këtë fazë mendojmë që ne duhet të kemi qëndrime të përbashkëta, në mënyrë që ta ndiejnë presionin blloku tjetër politik në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të zgjidhen interesat e atyre të cilët ne i përfaqësojmë”, tha Sela.