U shty aksioni për largimin e institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut


E premte, 25 Gusht 2023

MITROVICË – Komuna e Mitrovicës së Veriut shtyu aksionin për largimin e institucioneve të Serbisë nga objekti i saj në Lagjen Lumbardhi(e Boshnjakëve), ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga disa burime të afërta me autoritetet lokale.

Arsyet e këtij vendimi, tash për tash, nuk janë të qarta.

Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria gjenden në atë objekt prej kohësh.

Më 22 gusht, inspektorati komunal kërkoi prej tyre që, brenda tri ditësh, ta lirojnë objektin, për shkak se nuk dorëzuan dokumente apo kontrata për shfrytëzimin e tij.

Autoritetet komunale thanë se objekti është pronë e tyre dhe se duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”. Por, në një deklarim për Radion Evropa e Lirë, ato nuk specifikuan se për çfarë lloj punimesh bëhet fjalë.

Kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës nuk deshi ta komentojë këtë vendim të Komunës së Mitrovicës së Veriut, me arsyetimin se bëhet fjalë për “çështje lokale”.

Megjithatë, Ambasada amerikane në Prishtinë i tha Radios Evropa e Lirë më 23 gusht se ka këshilluar edhe Qeverinë e Kosovës, edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri që “të përmbahen nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund t’i rrisë tensionet”.

Popullata serbe në veri të Kosovës i bojkotoi zgjedhjet lokale të prillit dhe, si rezultat, pushtetin në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq e morën kryetarët shqiptarë.

Në fund të majit, këta kryetarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale – gjë që shkaktoi revoltë nga popullata lokale serbe dhe ngriti tensionet.

Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.

I kujt është objekti komunal në Mitrovicë të Veriut?

Objekti i diskutueshëm, për të cilin të dyja palët pretendojnë se është i tyre, është ndërtuar në periudhën e paraluftës.

Ligji për agjencinë kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës e rregullon çështjen e objekteve të tilla.

Ky ligj ka hyrë në fuqi në vitin 2016, pas së cilës gjë është formuar Agjencia Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës, mandati i së cilës, ndër të tjera, është t’i zgjidhë çështjet e pronave që ka qenë të Serbisë deri në qershor të vitit 1999.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka qenë kundër këtij ligji dhe ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta shpallë atë jokushtetues. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur.

Reagimet e Listës Serbe dhe Beogradit

Lista Serbe tha më 22 gusht se “kryetarët e paligjshëm kanë shkuar një hap më tej dhe duan të na i marrin hapësirat”.

Por, nga Komuna e Mitrovicës së Veriut thanë se zyrtarët e tyre janë pritur nga nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili u ka thënë se “nuk ka asnjë dokument për objektin” dhe se “nuk e di se në pronësinë e kujt është”.

Simiq, përndryshe, është kryetar i Drejtorisë së Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore, i cili ndodhet në objektin e diskutueshëm.

Në të njëjtën ditë reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila tha se vendimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut “kërcënon ekzistencën dhe të drejtën për punë për rreth 40 punëtorë që punojnë në këtë objekt dhe ofrojnë shërbime si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët, boshnjakët, goranët, romët”.

Më 23 gusht reagoi sërish drejtori i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviq, i cili tha se ka “rrezik për një krizë të re në veri”, për shkak të vendimeve të Qeverisë në Prishtinë.

Etiketa: , , ,