E hënë, 27 Prill 2026

Departamenti i Shtetit e pranon në nje dokument zyrtar se Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në luftë kundër Iranit me kërkesë të Izraelit.
Departamenti amerikan i Shtetit ka vënë “të zezën mbi të bardhë” në lidhje me atë që shumë e dyshonin, por pak guxonin ta pohonin: Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në luftë kundër Iranit me kërkesë të Izraelit.
Ky pranim, i përmbajtur në një memorandum zyrtar të publikuar më 24 prill, ka hapur “Kutinë e Pandorës”, duke përgënjeshtruar narrativën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë dhe duke ndezur një debat të ashpër mbi arsyet reale të operacionit “Epic Fury”.
Pra nuk kanë lidhje “gratë iraniane”, kërcënimi bërthamor apo demokracia: Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në luftë për të mbrojtur interesat e Tel Avivit dhe tani është vetë Departamenti i Shtetit ai që e pranon këtë.
Gati dy muaj pas fillimit të bombardimeve, këshilltari ligjor i Departamentit të Shtetit, Reed Rubinstein, ka nënshkruar një dokument me titull “Operacioni Epic Fury dhe e Drejta Ndërkombëtare”, ku lexohet një frazë që peshon si plumb: Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në konflikt “me kërkesë dhe për mbrojtjen legjitime kolektive të aleatit tonë izraelit, si dhe në ushtrimin e të drejtës natyrore të Shteteve të Bashkuara për vetëmbrojtje”.
Në fakt, hija e Izraelit mbi operacionin ndihej që nga fundjava e parë e luftës. Që më 3 mars, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kishte lëshuar deklarata, të cilat edhe pse u minimizuan menjëherë nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tingëllonin si një konfirmim i tërthortë i teorisë se Uashingtoni u la të tërhiqej në konflikt nga vullneti i Izraelit.
“Ne e dinim që do të kishte një veprim izraelit, dhe që kjo do të nxiste një sulm kundër forcave amerikane”- u kishte thënë Rubio gazetarëve, duke shtuar se ishte e nevojshme të goditej të parët për të shmangur viktimat mes ushtarëve amerikanë.
Ajo që e bën edhe më tronditëse këtë deklaratë të Departamentit të Shtetit është kontrasti i mprehtë me mohimet e përsëritura të Donald Trump. Presidenti, i cili ka pretenduar gjithmonë pavarësinë e vendimit për të sulmuar Iranin, ka postuar vazhdimisht në Truth Social se “Izraeli nuk më ka bindur kurrë të hyj në luftë kundër Iranit”.
Megjithatë, sipas rindërtimit të bërë nga New York Times, hyrja e SHBA-së në këtë luftë, u vendos pas një takimi në “Situation Room” të Shtëpisë së Bardhë më 11 shkurt 2026, ku morën pjesë Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të lartë të të dy vendeve.
Në atë rast, Netanyahu thuhet se ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë, aq sa disa komandantë amerikanë i kishin cilësuar si “fares” disa aspekte të planit të tij të sulmit. Por Trump, tashmë i bindur, vazhdoi përpara.
Sipas të dhënave të projektit Costs of War të Universitetit Brown, që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës, në tetor 2023, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Izraelit 21.7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake.
Po ashtu, Izraeli mbetet përfituesi më i madh i ndihmës së huaj amerikane që nga themelimi i tij në vitin 1948, duke marrë gjithsej mbi 300 miliardë dollarë ndihmë asistencë ekonomike dhe ushtarake. /tesheshi.com/
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
