Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

UEFA u kujdes që serbët të mos e ndjenin veten të poshtëruar

Prizren Post | 14:11 - 24.10.2014

Rexhep KASTRATI

Në fillim u tha se më 23 tetor, Komisioni Disiplinor i UEFA-së do të vendosë vetëm për fatin e ndeshjes, kurse masa të tjera do të ndërmerren gjatë nëntorit. Pastaj, u vendos që të shtyhet vendimmarrja nga e enjta në të premten, pa dhënë ndonjë shpjegim se çfarë ndryshimi kishte ndërmjet së enjtes dhe së premtes. Nga ana e tij Mishel Platini, ai futbollisti i mrekullueshëm dhe mjeshtër për lojën me top dhe për të shënua gola, por një drejtues tepër i keq dhe me qasje politike i UEFA-së, paralajmëroi për dënime të ashpra edhe për Serbinë edhe për Shqipërinë, duke bërë të qartë se organizata kryesore europiane e futbollit nuk do të shpëtojë nga qasja politike dhe joprofesionale ndaj ndeshjes Serbi – Shqipëri. Dhe në fund erdhën vendimet, pasi nuk ishte vetëm një vendim, ai për fatin e ndeshjes, por u kryen toptan, edhe vendimet për dënime të tjera. Vendimi i parë ishte që ndeshjen ta fitonte në tavolinë Serbia; vendimi i dytë ishte që Serbisë t’i hiqeshin tri pikë; vendimi i tretë ishte që Serbia të dënohej që të zhvillonte dy ndeshje pa tifozë; vendimi katërt ishte që të dyja federatat të dënoheshin me nga 100 mijë euro gjobë.

Nëse shihen me vëmendje këto vendime, atëherë konstatimi i parë dhe më i drejtë është se UEFA ka bërë kompromis politik që me vendimet e tij të mos poshtërojë Serbinë, por edhe të marrë pjesërisht parasysh faktet e pamohueshme të huliganizmit dhe të histerisë kolektive kundërshqiptare.
Është kështu për faktin se vendimi që Serbisë t’i jepen tri pikë në tavolinë është vendim për të mos e shpallur Shqipërinë fituese, sepse për Serbinë do të ishte poshtëruese. Pra, dhënia e tri pikëve Serbisë është bërë për të mos ia dhënë Shqipërisë, sepse nëse nuk do t’ia jepte tri pikë Serbisë, do të duhej t’ia jepte Shqipërisë. Dhe dhënia tri pikë Shqipërisë, për Serbinë do të ishte poshtërim. Se qëllimi ka qenë që të mos i jepen tri pikë Shqipërisë, dëshmon edhe fakti se me vendimin tjetër, UEFA sërish ia ka marrë tre pikë Serbisë, pra ato pikë praktikisht nuk i janë dhënë as Serbisë, e as Shqipërisë. Dhe ky mund të jetë një vendim i pranueshëm për Serbinë, pasi që ajo nuk mund të pranonte një fitore të Shqipërisë.

Në të vërtetë, nëse i bëhet një analizë rrjedhës së ndeshjes Serbi – Shqipëri, kuptohet fare lehtë se Serbia nuk mund ta duronte një humbje përballë Shqipërisë, pasi që rritja e histerisë dhe e huliganizmit kolektiv serb, e që u shoqërua edhe me hedhjen e mjeteve piroteknike dhe të koktejit të molotovit, u bë kur kombëtarja shqiptare filloi ta dominonte lojën dhe kur pati dy raste të pastra për shënim nëpërmjet Mavrajt dhe Canës.

Zaten, ndeshja u ndërpre pikërisht në kohën kur në fushë dhe ndaj futbollistëve shqiptarë u hodhën mjete të forta, mjete piroteknike dhe koktej molotovi. Dhe derisa ndeshja ishte ndërprerë dhe pritej që kapiteni i kombëtares serbe të qetësonte tifozët, u shfaq droni me atë flamur ku ishte një hartë, që serbët e quajtën “Shqipëri etnike” dhe dy portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, e që huliganët serbë e përdorën si pretekst për të hyrë në fushë dhe për të ushtruar dhunë ndaj futbollistëve shqiptarë. Pra, në momentin kur serbët panë se jo që nuk kishin gjasa që të fitonin ndeshjen, por e panë se edhe mund ta humbisnin atë, e shtuan agresivitetin, huliganizmin dhe histerinë kundërshqiptare, si mënyrë për ta ndërprerë ndeshjen. Dhe si nga qielli piku droni me flamurin në fjalë. Serbët nuk mund të pajtoheshin me humbjen eventuale, nuk mund të pajtoheshin me mundësinë që të fitonte Shqipëria. Për ta, humbja eventuale, përkatësisht fitorja e Shqipërisë, do të thoshte poshtërim, përulje, përbuzje, për të cilin ka folur Vuçiq, e jo droni me flamurin në fjalë, të cilin edhe mund ta kenë hedhur vetë, për të shpëtuar nga humbja eventuale. Dhe UEFA, sikurse BE-ja në rrafshin politik, mori parasysh më shumë ndjenjën e poshtërimit dhe të përbuzjes nga një fitore eventuale, përkatësisht nga fitorja eventuale e Shqipërisë, sesa faktet e pamohueshme që dëshmonin për huliganizmin dhe histerinë kolektive kundërshqiptare para, gjatë dhe pas ndeshjes Serbi – Shqipëri, dhe vendosi që të mos e shpallë Shqipërinë fituese, por fituese ta shpallte Serbinë.

Kurse vendimi për t’ia marrë tri pikë Serbisë, vetëm sa dëshmon se qëllimi ka qenë që pikët të mos i shkojnë Shqipërisë dhe të mos shpallet ajo fituese. Në planin moral dhe administrativ, ndeshja u regjistrua si fitore e Serbisë 3:0, kurse në planin praktik kjo ndeshje de facto u barazua me zero. Dhe për Serbinë ishte më e pranueshme që t’i merreshin tri pikë nga UEFA, sesa të shpallej fituese Shqipëria. Edhe vendimi që Serbia të zhvillojë dy ndeshje pa tifozë, është një vendim jo vetëm i pranueshëm për të, por edhe një dënim minimal kur të kihet parasysh gjithë ajo që ndodhi në stadium gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri. Serbia ishte gati qysh atë natë që ta vazhdonte ndeshjen pa tifozë, pra ajo nuk e ka problem të zhvillojë ndeshje të tilla, se dhe ashtu nuk po ka shumë tifozë, si në ndeshjen Partizani – Beshiktashi.

Kurse vendimi për të gjobitur të dyja federatat me nga 100 mijë euro, është tamam vendim që dëshmon se UEFA është kujdesur që të mos e bëjë Serbinë ta ndjejë veten të poshtëruar dhe të përbuzur, pasi që ky vendim jo vetëm se barazon përgjegjësinë për mosvazhdimin e ndeshjes, por edhe e rehabiliton, e aniston dhe zeron gjithë atë histeri, gjithë atë huliganizëm kolektiv dhe gjithë atë racizëm që e pa e tërë bota kundër shqiptarëve. Pra, UEFA që ka qenë e njohur për dënime të ashpra ndaj shpërfaqjeve raciste në ndeshje të tjera, në rastin e ndeshjes Serbi – Shqipëri, jo vetëm që shkeli të gjitha rregullat dhe parimet e saj, por edhe i shpalli të mosqenë. Është kështu, edhe pse UEFA formalisht vendimet për t’ia marrë Serbisë, për ta dënuar me dy ndeshje pa tifozë, dhe për ta gjobitur me 100 mijë euro, i ka arsyetuar pikërisht me ato që ndodhën në stadium, pasi që të gjitha këto vendime, për Serbinë nuk janë gjë, përballë fitores eventuale të Shqipërisë në tavolinë. Për Serbinë, gjithçka tjetër, pos fitores së Shqipërisë, është e pranueshme, dhe për të cilën ia ka vlejtur gjithë ajo që ndodhi në stadium gjatë ndeshjes. Shpallja e saj fituese në tavolinë, për Serbinë është fitore mbi të gjitha fitoret, e rrjedhimisht edhe e pranueshme për të.

Edhe pse nga prizmi i UEFA-së, vendimet për ndeshjen Serbi – Shqipëri mund të konsiderohen si kompromis ndemjet ndjesisë europiane për të mos poshtëruar popullin dhe shtetin serb dhe fakteve të pamohueshme për huliganizmin, histerinë dhe racizmin serb ndaj shqiptarëve, megjithatë këto janë vetëm shprehje e dorëzimit të parimeve thelbësore mbi të cilat funksionon vetë si organizatë, si dhe i sportivitetit përballë politikës dhe elementeve të tjerë jashtësportivë. Me këto vendime, UEFA tregoi se më shumë sesa organizatë sportive, është organizatë politiko-sportive që varet shumë nga vullnetet politike të qendrave të ndryshme të vendosjes politike. Në këtë kuptim, ndoshta duhet parë edhe shtyrjen e publikimit të vendimeve për të premten, nga e enjta, pasi që të enjten fillonte takimi rajonal në Beograd, si dhe zhvillohej ndeshja futbollistike ndërmjet Patizanit dhe Beshiktashit të Turqisë, e vlefshme për Ligën Europiane, që po ashtu e organizon UEFA. Por këto meritojnë një shqyrtim tjetër, pasi që mund të dalin hipoteza që mund të hedhin dritë ë shumë për kontekstin politiko-sportiv në të cilin janë marrë vendimet për ndeshjen Serbi – Shqipëri.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company