Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Unë besoj në Shqipërinë evropiane!

Prizren Post | 23:41 - 01.07.2014


Jose Manuel BARROSO

Udhëtimi i Shqipërisë gjatë viteve të fundit ka qenë madhështor dhe në rrethana të vështira. Pas vendimit historik të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, jam vërtet shumë i kënaqur që këtë moment historik mund ta ndaj me ju këtu në Tiranë. Ky vendim lë pas një faqe të rëndësishme në historinë e Shqipërisë dhe, natyrisht, tani do të fillojë një fazë e re premtuese. Ne presim që ky vendim t’i japë edhe një shtysë tjetër agjendës së reformave të Shqipërisë dhe një progres apo ecuri të mëtejshme në rrugëtimin drejt BE-së.

Gjithashtu, ky vendim tregon se perspektiva evropiane e vendeve të Evropës Juglindore nuk është thjesht diçka që ne e themi ose e shkruajmë në letra: është reale, është e besueshme dhe angazhimi i Bashkimit Evropian për këtë të ardhme mbetet i fortë. Zgjerimi i BE-së mbetet shumë i rëndësishëm në agjendën tonë dhe ne i mbajmë premtimet kur partnerët tanë arrijnë progres. Aspirata e drejtë e kaq shumë kombeve për t’u bërë anëtare të BE-së ka qenë pjesë e punës sonë të përbashkët për të konsoliduar demokracinë, për të nxitur stabilitetin dhe për të arritur begatinë.

Asnjë vend nuk është detyruar të bëhet shtet anëtar apo të qëndrojë në BE kundër vullnetit të plotë dhe kolektiv të qytetarëve. Pikërisht mbi këtë bazë të fortë të dhënies së pëlqimit, ato vende të cilat në të kaluarën kanë bërë luftëra shkatërruese kundër njëra-tjetrës, tani formojnë një union të afërt, një Bashkim Evropian, i cili bazohet te vlerat e përbashkëta dhe te parimet, të cilat ne i ndajmë me njëri-tjetrin: paqen dhe pajtimin, promovimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, të dinjitetit njerëzor, të një begatie, të cilën ta ndajmë të gjithë, të tolerancës dhe të drejtësisë. Bashkimi Evropian është gjithnjë e më i fortë, sidomos pas asaj që ndoshta ishte kriza më e madhe ekonomike me të cilën ne së bashku jemi përballur.

Ndaj mund t’u them atyre që ndoshta mund të thoshin se po ndodhte gjëma, kasandrave të Evropës, se e kishin gabim! Pra, nuk patën të drejtë kur flisnin për euron apo madje edhe për dezintegrimin e bashkimit tonë, por pavarësisht këtyre vështirësive, Bashkimi Evropian po ecën përpara, po bën progres dhe zgjerimet e përhershme t e kanë zgjeruar këtë zonë paqeje, stabiliteti e demokracie në të gjithë kontinentin evropian. Integrimi dhe zgjerimi gradual kanë qenë gjithmonë paralelisht me njëra-tjetrën dhe nëse mundem t’ju flas për diçka personale, unë vetë kam jetuar nën diktaturë në vendin tim, në atdheun tim, në Portugali, për 18 vjetët e para të jetës time.

Unë në mënyrë të drejtpërdrejtë kam përjetuar atë shpresë që i ofronte aspirata evropiane vendit tim dhe se si kjo shpresë e ndihmoi që të viheshin themelet e forta të demokracisë, të transformohej ekonomia, të hapej shoqëria jonë; e njëjta gjë që pothuajse në të njëjtën kohë ka ndodhur edhe në vende si Spanja ose Greqia. Prandaj kjo është arsyeja pse unë ndihem shumë afër jush në Shqipëri, sepse ju me të drejtë e lidhni perspektivën e aderimit në BE me konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve tuaja demokratike. Dhe prandaj unë vërtet besoj që ky është procesi të cilin ne duhet ta promovojmë më tej. Të gjithë ata që kanë sugjeruar që BE-ja nuk ishte një partner i besueshëm e patën gabim, nuk patën të drejtë. Natyrisht duhet që vendet që dëshirojnë të bëhen shtete anëtare të BE-së të plotësojnë kriteret dhe të kenë ecuri të vërtetë në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Nga Tirana në Podgoricë, nga Sarajeva në Shkup, nga Beogradi në Prishtinë, gjithandej njerëzit e shikojnë BE-në si një dritë shprese, por po ashtu edhe si garantuese e një politike më të mirë në vend dhe ne nuk do t’i zhgënjejmë ato në aspiratat e tyre. E ardhmja e tyre, e ardhmja juaj është në BE dhe angazhimi ynë për këtë të ardhme evropiane është i palëkundur. “Pacta sun servanda” – pra, marrëveshjet duhen respektuar. Ky është çelësi i atij pushteti që kemi ne për tërheqjen që ka BE-ja për atë që ne e quajmë magnetizmi i Evropës, por edhe për besueshmërinë tonë. Dhe ne të gjithë e dimë se një e ardhme evropiane e qartë dhe e besueshme mund të jetë një ndryshues për të mirën, siç është treguar dhe nga marrëveshja vërtet historike mes Beogradit dhe Prishtinës vitin e kaluar, por po ashtu edhe nga përpjekjet për reformë dhe progresi që është arritur me vendet e tjera. Megjithatë, të thëna gjithë këto zgjerimi natyrisht nuk është një profeci vetëpërmbushëse, nuk është një rrugë vetëm me një drejtim, kërkon vizion politik, kurajë dhe shumë punë. Ka gjithmonë çështje që dalin, sfida që duhen trajtuar. Me fjalë të tjera, përgatitjet për anëtarësimin në BE, natyrisht janë të vështira. Por dhe unë e them këtë pasi kam qenë në krye të Komisionit Evropian për 10 vjet, këto përpjekje ia vlejnë vërtet. Përpjekjet janë të vështira, sepse kërkohen reforma të vërteta dhe të thella për anëtarësim në BE. Këtu kemi të bëjmë me besueshmërinë dhe ato kushte me hapa që vëmë ne janë garantues për këtë besueshmëri. Le të mos harrojmë se duhen gjithnjë dy palë për të arritur rezultate dhe qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se, pasi të bëheni një shtet anëtar i BE-së kjo do të thotë se vendi juaj është vërtet plotësisht i gatshëm që të ndërmarrë të gjitha ato detyrime që vijnë nga anëtarësimi. Dhe tani që perspektiva, e ardhmja e anëtarësimit në BE bëhet më e besueshme pas dhënies së statusit të vendit kandidat unë mund t’ju them se do të ketë një vëmendje gjithnjë e më të fortë për zhvillimet në Shqipëri, pikërisht për faktin se qeveritë e shteteve anëtare të BE-së do t’ju shohin ju në një mënyrë më realiste, si një shtet i ardhshëm anëtar i BE-së.

Plotësimi dhe përmbushja e këtyre sfidave është një detyrë, e cila kërkon vendosmëri, vizion dhe përgjegjshmëri. Unë besoj se, si anëtarë të këtij Kuvendi, si deputetë, ju keni një rol shumë të rëndësishëm, kyç, për të luajtur në këtë proces. Përgatitja për anëtarësimin në BE gjithashtu ia vlen, sepse pranimi i “acqui”-së evropiane dhe anëtarësimi në BE, do të sjellin ndryshim të vërtetë në jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Ju nuk po i ndërmerrni këto reforma për të bindur apo për të kënaqur institucionet e BE-së, por po e bëni këtë për qytetarët tuaj, për veten tuaj, sepse ky ishte vendimi sovran i një vendi krenar, Shqipërisë. Për shembull, një gjyqësor më efikas, i pavarur dhe llogaridhënës, si dhe një administratë publike e tillë, do të ketë një ndikim pozitiv në jetën e shqiptarëve dhe do të krijojë kushte më të favorshme për investime dhe zhvillim ekonomik. Reformat ekonomike, sado të vështira të jenë, do të kontribuojnë për të konsoliduar stabilitetin makro-ekonomik, fiskal dhe financiar në vend. Megjithatë, unë besoj se Shqipëria do të bëhet shtet anëtar i BE-së.

Ky është mesazhi që unë ju sjell fare qartë në Tiranë. Unë besoj se ky hap i statusit të vendit kandidat është një hap shumë i rëndësishëm, por tani shumica e punës varet nga ju, e keni ju në dorë si përfaqësues të këtij populli, të një vendi kaq krenar, të një vendi si Shqipëria, të cilin unë e respektoj shumë. Unë e njoh historinë e Shqipërisë, e di se sa e rëndësishme ka qenë për ju të siguroni pavarësinë tuaj dhe besoj se ju mund, jo vetëm të merrni të mirat, përfitimet e anëtarësimit në BE, por edhe të jepni kontribut në synimet dhe objektivat e Bashkimit Evropian, me pak fjalë edhe për stabilitetin në këtë rajon.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company