E shtunë, 7 Tetor 2023
GAZA – Ushtria izraelite shpalli “gjendjen e gatishmërisë së luftës” pas zhvillimeve të fundit në Rripin e Gazës, pas së cilës nisën sulmet në Gaza.
Siç njoftoi ushtria izraelite, situata e përmendur është shpallur për shkak të “sulmeve të shumta nga Gaza në orën e fundit”, raporton Anadolu.
I njëjti burim ka thënë se disa grupe palestineze kanë hyrë në territorin e Izraelit, në zonën kufitare me Gazën dhe se aty po zhvillohen luftime.
Ushtria izraelite më pas njoftoi se kishte nisur sulmet në Rripin e Gazës të bllokuar.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Galant ka autorizuar “mobilizim masiv të forcave rezervë”, raportojnë mediat lokale.
Siç thonë nga autoritetet izraelite, grupe të armatosura palestineze hynë në territorin e Izraelit dhe pushtuan stacionin e policisë në qytetin Sderot.
Shkon në 5 numri i të vdekurve në Izrael
Sipas lajmit të televizionit izraelite “Kanal 12”, mësohet se për shkak të raketave të hedhura nga Gaza në Izrael kanë humbur jetën 5 persona.
Gazeta “Haaretz” ka njoftuar se ka arritur në mbi 100 numri i të plagosurve si pasojë e sulmeve me raketa në të gjithë Izraelin.
Ndërkohë nuk janë ndarë të dhëna lidhur me identitetin e personave që kanë humbur jetën dhe se ku ndodhen ato.
Shërbimi izraelit i ndihmës emergjente, Ylli i Kuq i Davidit njoftoi se një izraelit ka humbur jetën dhe 15 persona të tjerë janë plagosur në sulmet e nisura në orët e mëngjesit kundër Izraelit nga Rripi i Gazës nën bllokadë.
Izraeli filloi sulm ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë
Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite thuhet se dhjetëra avionë luftarakë kanë filluar të godasin objektivat e ndryshme të Hamasit në Rripin e Gazës.
Hamasi ka kapur 35 izraelitë, njoftoi radioja izraelite.
Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit njoftoi se mëngjesin e sotëm kanë nisur kundër Izraelit operacionin “Tufani i Aksa-së” dhe se me operacionin infiltrues brenda Izraelit ka kryer sulme me raketa.