E enjte, 14 Janar 2021
Ngjarja zhvillohet në Konispol, Çamëri
Osman Taka ishte nga familja e madhe e Takajve të Konispolit. Ai kishte një trup elegant, i pashëm dhe burrëror. Një përfaqësues tipik i familjes aristokrate.
Historia ka nisur në një ditë të xhuma (e premte). Një oficer osman i shoqëruar me 5 ushtarë sapo kishte falur namazin e xhumasë dhe në rrugë ndeshë dy femra. Atë të premte, të veshura mirë dhe me fytyrë të mbuluar, gruaja dhe motra e Osman Takës kishin marrë rrugën nga Shehati për në Çucat. Komandanti osman u zuri rrugën grave. U ngriti perçen dhe ua pa fytyrën duke lavdëruar bukurinë e tyre. Të turpëruara nga gjesti i komandantit, gratë u larguan. (Atë kohë konsiderohej turp që një gruaje ti shihej fytyra në vende publike). Me t’u kthyer në shtëpi, e motra i rrëfen ngjarjen të vëllait, Osman Takës.
Për këtë turp, Osmani do të merrte hak.
Të premten e rradhës pasi bëri lutjet në xhami, komandantit osman i zunë rrugën, Osman Taka me katër konispolatë të tjerë. Komandanti dhe katër ushtarët e tij u vranë, kurse njëri nga ushtarët u la i gjallë nga Osman Taka, për t’i çuar porosi komandantit në Janinë. Osmani i tha: po të lë të gjallë, t’i tregosh komandantit tënd në Janinë se kush jam unë dhe se nuk ka ushtar e oficer që të prek femrën konispolate. Çoji selam nga Osman Taka i Konispolit. Pasi u mor porosia në Janinë, Osman Taka u shpall në kërkim. Për kapjen e Osmanit, Valiu i Janinës, me ferman nga Porta e Lartë, jepte 5 mijë napolina floriri. Osman Taka u arratis dhe për disa muaj qëndroi nëpër fshatra e vende të ndryshme të Çamërisë, deri sa ra në derën e një miku tradhëtar.
(Nashu Gërxhua ishte një çoban i njohur i cili kishte tre djem).
Nashua, pasi i mirëpriti në konak Osmanin me shokë, u dha mish e raki, i dehu dhe pasi u sigurua se janë në gjumë u nis për te karakolli osman i Qafëbotës që të tregonte se ku gjendej Osmani dhe ti fitonte 5 mijë napolonat si shpërblim. Ushtarët osman u nisën drejtë shtëpisë së Nashos. Osmani rezistoi duke u kthyer pushkën ushtarëve turq, deri në fishekun e fundit, por në fund u dorëzua. Osman Taka u kap i gjallë dhe u dërgua në burgun e Janinës, ku pas një muaji Gjykata e Janinës i dënoi me varje në litar Osmanin dhe tre shokët e tij. Lajmi u përhap në të gjithë qytetin e më gjerë. Ekzekutimin do ta ndiqte vetë Valiu i Janinës, Hasan Beu me të shoqen. Kryerjen e ekzekutimit do ta bënte Kadiu Mexhit Bej, i cili më parë i pyeti të dënuarit se cila ishte kërkesa e fundit e tyre për këtë botë?. Osman Taka i tha: kërkesa ime e fundit në këtë botë është e çuditshme. Dua një sufra dhe sazet e Filatit të Konispolit për të kërcyer një valle që ne e quajmë “vallja e burrave të Konispolit”. Dua orkestrën e Braho Salametit.
Kërkesa u plotësua. Melodia e sazeve filloi, e rrallë dhe e bukur.
Osman Taka një valltar elegant, burrë që kërcente bukur ‘magjepsi’ Valiun e Janinës bashkë me të shoqen!. Valiu, i mahnitur nga kërcimi i Osman Takës, vendosi ta falte atë duke ndryshuar fermanin e Portës së Lartë. Më pas kërkoi që vallja të hidhej edhe njëherë!. Osman Taka ishte i papërtesë.
(Kështu një valle që dikur quhej “vallja e burrave të Konispolit”, i shpëtoi jetën një njeriu, emrin e të cilit e mban edhe sot “vallja e Osman Takës”).
Ndiqni vallen përmes videove:
Etiketa: Osman Taka, Vallja e Osman Takës