E mërkurë, 24 Shtator 2014
Shkup, 24 shtator – Së shpejti në bankën e të akuzuarve do të ulen edhe dhjetë presona që akuzohen se për pjesëmarrje në protestat kundër vendimeve gjyqësore në rastin “Monstra”.
Lajmi vjen pas pezullimit të protestave për këtë çështje, dhe ndërkohë që bartësit e protestave kanë nisur të mbledhin nënshkrime për një peticion që pritet të kritikojë sistemin gjyqësor në vend.
Pushteti gjyqësor në Maqedoni ka qenë në shënjestër të kritikave të institucioneve ndërkombëtare. Në të gjitha raportet e progresit të Komisionit Evropian, është kërkuar heqja e ndikimeve politike dhe luftimi i korrupsionit brenda gjykatave.
Profesor Bekim Kadriu, përmend rastin e ndryshimeve kushtetuese, ku është vërejtur se ato janë propozuar pak a shumë sipas agjendës së partisë maqedonase në pushtet. “Shihet qartë që VMRO-DPMNE, duke qenë parti djathtiste, mundohet që të arrijë qëllimet e veta politike e populiste. Përkrahja ‘blanco” e ndryshime kushtetuese të shpalosura nga kryeministri, pa kërkuar ndryshime edhe për të drejtat e shqiptarëve është pak nënçmuese”, ka theksuar Kadriu, në një deklaratë për “Zhurnal”.
Në kongresin e BDI-së, kryetari Ali Ahmeti kishte deklaruar se ata do të jenë partnerë me të gjithë ata që do luftojnë në këtë vend që të mos ketë drejtësi selektive. “Akoma ka drejtësi selektive. Pavarësisht se ne jemi në pushtet, ka ende padrejtësi, sepse nuk kontrollohet çdo virus dhe çdo gjyqtar e prokuror me ngarkesa, të mos them edhe fashiste, sepse po shihen dukshëm edhe pse nuk janë të shumtë, por janë të rrezikshëm. Ne duhet të punojmë që elementë të tillë në këtë vend, të mos ketë”, kishte vlerësuar Ahmeti.
Ndërkohë, para gjykatës pritet të dalin edhe 10 të akuzuar të tjerë që akuzohen për veprën penale “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale”, gjatë protestave që u organizuan përpara objektit të Gjykatës Themelore Shkup I. Muaj më parë, gjykata dënoi me tre vjet burg gjatë protestues, dy të tjerë u lanë të lirë, një u lirua nga akuza dhe një tjetër u shpall i pafajshëm nga gjykata, në mungesë të provave. (A. F.)
Etiketa: Maqedoni, Rasti Monstra, Shqiptarët