E hënë, 9 Qershor 2025
Gjykimi ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në shtator të vitit 2023 – po vazhdon sot me seancën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në këtë seancë po dëshmon zyrtari policor në Njësinë për ndërhyrje të shpejtë, Alban Rashiti, i cili ishte plagosur në aksion.
“Informatën e parë për një veturë të dyshimta e kemi pranuar në ora 21 dhe informata ka qenë nga dhomat komanduese, një veturë është e parkuar në një livadh dhe ajo informatë është dhënë nga njësia për reagim të shpejtë dhe sipas tyre ajo veturë është e dyshimtë. Nga dhoma komanduese është konfirmuar se për këtë veturë nuk ka të dhëna në sistem”, ka thënë Rashiti në nisje të dëshmisë.
Kjo është seanca e dytë që mbahet për këtë rast, ku përveç tyre akuzohen edhe 41 persona të tjerë fizikë që janë në arrati dhe një juridik.
Në seancën e parë që është mbajtur në prill të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët janë arrestuar pas sulmit të kryer nga një grup i armatosur i serbëve që është udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Sërpska, Millan Radojiçiq, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, për financim të terrorizmit dhe për vepra të rënda penale.
Për të akuzuarit që janë në arrati Gjykata Themelore në Prishtinë ka vlerësuar se nuk e ka mundësi ligjore për ndërmarrë gjykim në mungesë.
Të akuzuar në këtë rast janë 45 të pandehur – Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Dukiq, Danillo Virijeviq, Alleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedeljkoviq, Nikolla Illiq dhe Vladan Illiq.
Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.
Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.
Autoritetet në Kosovës e kanë kualifikuar sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa tij.
/koha.net/