E enjte, 9 Shkurt 2023
ANKARA – Të paktën 12,873 njerëz kanë humbur jetën dhe 62,937 të tjerë u plagosën nga dy tërmete të forta që goditën Turqinë jugore të hënën, tha të enjten agjencia e vendit për fatkeqësitë.
Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaras, u ndjenë nga 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.
Disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin, ndjenë lëkundje të forta që goditën Turqinë në më pak se 10 orë.
Më shumë se 113,200 personel kërkimi dhe shpëtimi po punojnë aktualisht në terren, tha në një deklaratë Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
“Si rezultat i negociatave me Ministrinë e Jashtme turke, 5,709 personel që vinin nga vende të tjera për të dhënë ndihmë u dërguan në zonën e fatkeqësisë,” shtoi ai.
Përveç ekipeve të shpëtimit, batanije, tenda, ushqime dhe ekipe të mbështetjes psikologjike u dërguan gjithashtu në zonat e prekura.
Gjithsej 92,738 tenda familjare u ngritën për të strehuar të mbijetuarit, tha gjithashtu AFAD.
Ai shtoi se 5,557 automjete, duke përfshirë ekskavatorë, traktorë dhe dozer, u dërguan në zonën e fatkeqësisë.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan inspektoi të mërkurën kërkimin dhe shpëtimin në vazhdim, si dhe përpjekjet e ndihmës në provincat Adana, Hatay dhe Kahramanmaras, si dhe një nga epiqendrat e Pazarcikut, ku takoi të mbijetuarit në qytetet me tenda.
Turqia ka mobilizuar të gjitha burimet e saj për përpjekjet pas tërmetit, tha Presidenti Erdogan, duke shtuar: “Shteti po punon me bashkitë, veçanërisht me Presidencën e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), me të gjitha burimet e tij.”
Për të përshpejtuar më shumë operacionet e kërkim-shpëtimit, Turqia njoftoi të martën një gjendje të jashtëzakonshme tre-mujore në provincat e goditura nga tërmeti.
Përveç kësaj, Turqia është duke mbajtur shtatë ditë zie kombëtare pas tërmeteve shkatërruese.
Të gjitha aktivitetet sportive kombëtare në vend janë pezulluar deri në një njoftim të dytë. Shkollat në mbarë vendin do të jenë të mbyllura deri më 13 shkurt dhe arsimi në 10 provincat e prekura është pezulluar deri më 20 shkurt.
Pas tërmeteve, ngushëllimet u derdhën nga e gjithë bota duke shprehur solidaritet me Turqinë, me shumë vende që dërguan ekipe shpëtimi dhe ndihma.
Etiketa: Aktuale, Tërmeti, Turqia