Vazhdon puna për dokumentimin e krimeve të luftës, Kurti merr raportin


E shtunë, 9 Maj 2026
Vazhdon puna për dokumentimin e krimeve të luftës, Kurti merr raportin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi.

Ky i fundit ia dorëzoi Kurtit raportin gjashtëmujor të punës për periudhën nëntor 2025 – maj 2026.

Sipas njoftimit nga Kryeministria, gjatë takimit u diskutua mbi progresin e arritur në dokumentimin, hulumtimin dhe institucionalizimin e kujtesës historike lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe mbi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve shtetërore në funksion të drejtësisë tranzicionale dhe ruajtjes së të vërtetës historike.

“Drejtori Hetemi e njoftoi kryeministrin në detyrë me projektet dhe zhvillimet kryesore të Institutit gjatë kësaj periudhe, ndër të cilat veçohet puna për përgatitjen e databazave të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, databazës së masakrave dhe asaj të varrezave masive — procese me rëndësi të veçantë shtetërore dhe historike, të cilat po ndërmerren për herë të parë në Republikën e Kosovës në mënyrë të centralizuar, të verifikuar dhe institucionale”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se këto databaza do të shërbejnë si bazë e qëndrueshme për dokumentim, hulumtim shkencor, edukim dhe adresim institucional të krimeve të luftës.

Sipas njoftimit, në takim u veçua edhe organizimi i konferencës ndërkombëtare “From War to Recovery: A Multidisciplinary Approach Towards Kosovo’s War Trauma”, me pjesëmarrjen e mbi 200 studiuesve, ekspertëve dhe përfaqësuesve institucionalë vendorë, rajonalë e ndërkombëtarë, si një dëshmi e shtrirjes akademike dhe ndërkombëtare të punës së Institutit.

“Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi drejtorin Hetemi dhe stafin e Institutit për përkushtimin dhe punën e bërë, duke vlerësuar rolin e IKKL-së në dokumentimin e krimeve të luftës, ruajtjen e kujtesës historike dhe ndërtimin e një baze të besueshme faktesh për brezat e ardhshëm. Ai theksoi se drejtësia për viktimat, dokumentimi institucional dhe mbrojtja e së vërtetës historike mbeten obligim shtetëror dhe shoqëror i Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit